Lajme

Franca ia “bllokon” shitjen e aeroplanëve ushtarakë Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas vizitës së tij të fundit në Paris, ka njoftuar se në dy muajt e ardhshëm Serbia do të nënshkruajë një marrëveshje për blerjen e aeroplanëve luftarakë “Rafale”. Megjithatë, sipas informacioneve që vijnë nga mediat franceze, gjërat nuk janë edhe aq të thjeshta. Presidenti rus, Vladimir Putin, sanksionet e Moskës, marrëdhëniet me Kinën, çështja e Kosovës, janë temat që e pengojnë blerjen e këtyre avionëve

Një javë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas bisedës me presidentin francez Emmanuel Macron, bëri të ditur se kanë arritur marrëveshje konkrete për blerjen e aeroplanëve luftarakë “Rafale”, shkruan Nova.rs.

“Jam shumë i lumtur për rezultatet e atyre bisedimeve, i lumtur sepse kemi mundur të flasim hapur dhe konkretisht për të gjitha format e bashkëpunimit me një nga vendet më të rëndësishme në botë. Më duket se kemi arritur disa marrëveshje konkrete për blerjen e aeroplanëve. Pres nënshkrimin e kontratës në dy muajt e ardhshëm, me prezencën e presidentit të Francës, që është domethënëse për vendin tonë në shumë nivele”, tha Vuçiq me atë rast.

Megjithatë, sipas BFM-së franceze, Franca synon të marrë konfirmimin për zhvillimet politike në vend përpara përfundimit të kontratës për shitjen e aeroplanëve ushtarakë.

Kompania e aviacionit ‘Daso’ refuzon të diskutojë për shitjen e mundshme të aeroplanëve në Serbi. Transaksioni, i cili do të përfshinte një duzinë aeroplanësh, mund t’i sjellë Francës tre miliardë euro, por vendi synon të marrë një konfirmim për ngjarjet politike në Serbi para se të bie dakord për transaksionin”, shkruajnë mediat franceze.

Shpenzimet ushtarake në rritje

“Të gjitha vendet evropiane po armatosen, kështu që edhe ne duhet ta bëjmë këtë”, tha Aleksandar Vuçiq në mars.