Lajme

Franca emëron emisar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Francës ka emëruar të premten Rene Troccazin si emisar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit të Ministrisë, emërimi i tij është në përputhje me përfshirjen e shtuar të Francës në rajon në sfondin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në, “të cilën e mbështesin”.

“I dërguari i posaçëm do të përfshihet në çështjet më të rëndësishme të politikës rajonale, në koordinim me homologët e tij evropianë dhe amerikanë. Ai do të monitorojë gjithashtu nismat e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht Procesin e Berlinit dhe do të jetë në gjendje të përfaqësojë Francën në ngjarjet dhe forumet ceremoniale të nivelit të lartë”, thuhet në njoftimin e Francës.

Troccazin është diplomat i njohur në Francë. Ka shërbyer si ambasador i Francës në Qipro më herët, por ka pasur edhe poste të tjera në ambasada të ndryshme.

Franca i bashkohet shteteve si SHBA-ja, Gjermania e Britania e Madhe, të cilat më herët gjithashtu kanë emëruar emisar të posaçëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor.