Lajme

Flet Rashiq: Ja çka biseduam me Palmer

Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, sot ka takuar dy politikanët serbë që kandiduan për zgjedhjet e 6 tetorit në koalicionin “Sloboda”.

Nenad Rashiq dhe Sllobodan Petroviq ishin nikoqirët e një takimi me zyrtarin amerikan në qytetin e Graçanicës.

Rashiq ka treguar se me Palmer kanë biseduar për zhgënjimet në zgjedhjet në mes komunitetit serb dhe për pajtueshmërinë e mundshme që do të sillte dialogu mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Ne kemi potencuar rrethanat që kemi pasë në zgjedhjet e fundit dhe prej elementëve të marra në terren kemi potencuar që kushtet e fushatës s’kanë qenë demokratike te ne”.

“Po ashtu kemi biseduar për të ardhmen dhe planet institucionale për politikën në shoqërinë kosovare”.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Rashiqin dhe Petroviqin, por jo edhe me Listën Serbe.

Dhe për këtë Rashiq tha se janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë politike në interes të Kosovës dhe serbëve që jetojnë këtu.

Ai gjithashtu shtoi se me Palmer kanë diskutuar edhe për bisedimet me Kurtin dhe mundësinë për pjesëmarrje në qeverinë e re.

Rashiq ka thënë se pjesëmarrja e serbëve në dialogun me Serbinë është e domosdoshme, sidomos nëse dëshirohet arritja e një pajtueshmërie mes dy popujve fqinj.

“Serbët autoktonë të Kosovës duhet të jenë pjesë e dialogut që ai dialog të na sjellë pajtim mes dy popujve. Është relevante që serbët e Kosovës mos të jenë vetëm akterë, por edhe propozues të temave sa i përket përmirësimit të gjendjes së shoqërisë kosovare. Do të jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë që na takon”.

“Në këtë formë kemi dashur që ta përkrahim idenë e Kurtit për inicimin e dialogut. Por populli duhet të jetë ai që mund të krijojë bazën për pajtim”.