Bota

Fillimi i fundit të epokës Erdogan?

Stamboll nuk ka rezultat zyrtar, por në qytete të rëndësishme, partia konservatore islame, AKP ka përjetuar humbje të fortë. Kjo ngre edhe çështjen e të ardhmes së presidentit, mendon Erkan Arikan.

Si refren e ka përsëritur presidenti Recep Tayyip Erdogan një fjali gjatë daljeve në fushatën zgjedhore: Nëse AKP humb në qytetet kryesore, kjo do të sillte kaos në vend. Pas zgjedhjeve lokale në Turqi, duket se bëhet fjalë për më shumë se kaq: Bëhet fjalë për mbijetesën politike të presidentit turk! Sepse këto votime ishin një nga dështimet më të mëdha të presidentit të mësuar prej kohësh me suksesin.

AKP humbi në qytete të rëndësishme. Që në natën e të dielës zgjedhore po qartësohej, se postet e kryetarëve të bashkive të qyteteve bregdetare, Izmir, Aydin, Antalya, Adana dhe Mersin do t’i kalonin partisë opoziatre demokratike, CHP. Por pas kësaj erdhi edhe një goditje tjetër për Erdoganin: Pas 25 vitesh të sundimit konservator islam në Ankara shenjohet papritur ndryshimi. Postin e kryetarit të bashkisë do ta marrë për 5 vitet e ardhshme sfiduesi republikan, Mansur Yavas. Kritikët thonë, se Erdogan nuk ia ka dalë t’i manipulojë në atë mënyrë që AKP ta mbante Ankaranë.