Argëtim

Festivali i muzikës elektronike UNUM, Rana e Hedhun mirëpret 10 mijë fansa

Shqipëria me natyrën e bukur, plazhet mahnitëse dhe monumentet e kulturës po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.

Turizmi i aventurës, bregdeti dhe çmimet e lira, janë disa ndër arsyet që kanë bërë për vete turistët e huaj nga vendet e Europës, por jo vetëm.

Përveç natyrës, edhe eventet kulturore po tërheqin turistë. Festival i ri, ndryshe nga herët e tjera, kur organizime të tilla janë bërë në rivierën shqiptare, këtë herë do të bëhet në plazhin e Shëngjinit.

Prej 31 majit – 3 qershor 2019, në bregun shqiptar do të zhvillohet një festival i ri i muzikës elektronike në natyrë “UNUM”.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, mbi këtë event shprehet se ”bukuria e peizazhit natyror, mikpritja dhe tradita shqiptare tashmë krijojnë skena ideale për festivalet më të famshme të muzikës elektronike. Mbi 10 mijë admirues europianë të kësaj muzike pritet të vijnë në festivalin “Unum”, nga 31 maji deri në 3 qershor, te Rana e Hedhun”, shkruan atsh, përcjell Ministria Lajmeve.