Fehmi Agani – truri i lëvizjes paqësore
Fehmi Agani rrallë shpërfillte këshillat e miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Por padëgjueshmëri kishte treguar marsin e 1999-s, kur veçse ishte marrë vendimi që aleanca më e madhe ushtarake e globit, NATO-ja, ta bombardonte makinerinë e Slobodan Milosheviqit, në përpjekjen për t’i ndalur mizoritë që bëheshin në Kosovë.
Ndodhej në Paris. Ishte pjesë e delegacionit të gjerë të Kosovës, që kishin hedhur firmat mbi një marrëveshje të propozuar nga Perëndimi, dhe e cila parashihte largimin e Serbisë nga Kosova, shkruan sot Koha Ditore.
Agani e dinte se nuk do të ishte vetëm regjimi i Milosheviqit që do të kapitullonte nga ky intervenim.
Blerim Shala është publicist dhe kishte qenë pjesë e delegacionit që e përfaqësonte Kosovën në Rambuillet. Ai tregon se, me firmosjen e marrëveshjes, Agani ia shihte fundin edhe Jugosllavisë, shkatërrimi i së cilës kishte nisur rreth një dekadë më herët.
“Ai na tha: ‘Edhe nëse vdes së shpejti, do të kem çka t’i tregoj Zotit. Nuk është pak të përjetosh vdekjet e tri Jugosllavive’ (Mbretërisë së Jugosllavisë, Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës Federative të Jugosllavisë)”, tregon Shala.
Brenda kështjellës, ku ishin zhvilluar negociatat, ndodheshin aktorët që përballeshin në fushëbetejën në Ballkan…