Federer fiton titullin e 100 ATP, mposht me lehtësi talentin Tsitsipas
Roger Federer me tre shifra. Në finalen e Dubait tenisti zviceran mposhti pa shumë vështirësi në vetëm dy sete 20-vjeçarin e talentuar grek, Stefanos Tsitsipas, duke regjistruar në këtë mënyrë trofeun e 100 në karrierë në turnetë ATP, vetëm 9 turne më pak se vendi i pare, që mbahet nga i Jimmy Connors.
Të dielën e 4 shkurtit të vitit 2001 tenisti helvet ishte vetëm 19 vjeç kur mundi në tre sete tenistin francez Julien Boutter në finalen e turneut “indoor” të Milanos, megjithatë duhet të kenë qenë fare të paktë ata që mund të kenë imagjinuar 18 vjet më pas tenistin nga Baseli në kuotën e tre shifrave sa i përket turneve ATP të fituar në karrierë.
Trofeu i 100 u regjistrua pikërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, në një ndër turnetë më të dashur për sportistin helvet.
Në Dubai, në fushën kryesore të qendrës tenistike të klubit të aviacionit, përpara 5.000 spektatorëve, Federer siguroi titullin e 8-të në këtë pjesë të Gjirit Persik, duke marrë hak në njëfarë mënyre edhe për eliminimin që pësoi një muaj e gjysmë më parë në Australian Open pikërisht nga 20-vjeçari nga Athina, transmeton SS.
Në Melbourne Park Roger Federer shpërdoroi disavantazhin e setit hapës, madje dështoi për ta thyer në shërbime tenistin ballkanas, ndonëse pati plot 12 mundësi për “break”, ndërsa këtë herë 37-vjeçari zviceran i rrëmbeu shërbimet kundërshtarit të tij që në “game-n” hapës.
Stefanos Tsitsipas, që numëronte tetë fitore radhazi e përmirësoi ndjeshëm lojën e tij dhe dy tenistët ruajtën radhën e tyre të shërbimeve. Edhe pas fitimit të setit të parë Roger Federer u tregua shumë i qetë dhe administroi shkëlqyeshëm situatën, për të sulmuar sërish pikërisht në “game-n” e nëntë të setit pasardhës.
Në setin e dytë Tsitsipas mori vetëm tre pikë gjithsej në shërbimet e veteranit helvet dhe Federer mbylli pa vështirësi gjithë takimin me rezultatin 6-4, 6-4, në diçka më tepër se një orë lojë.
Ishte finalja e 10 në Dubai për mjeshtrin zviceran, ndërkaq Tsitsipas ishte kundërshtari i tij i 50-të në karrierë në ndeshjet finale të turneve ATP, nga 25 vende të ndryshme dhe interesant është fakti se tenisti grek, që është 17 vjet më i ri se sa Federeri as nuk kishte lindur kur Federer siguroi trofeun në aktivitetin e Milanos.
Pas pesë javëve pushim, me këtë sukses Federer do të përmirësohet nga vendi i shtatë në pozicionin e pestë në renditjen botërore, ndërkaq Stefanos Tsitsipas, që javën e kaluar triumfoi në Marsejë, përfitoi një çek sa gjysma e Federerit, gjithsesi të majmë me çerek milioni dollarë dhe nga vendi i 11-të tenisti helen ngjitet në vendin e 10-të, duke hyrë në histori si i pari tenist grek që futet mes 10 tenistëve më të mirë të botës në klasifikimin e përgjithshëm ATP.