Federer është sportisti më i paguar në botë

Tenisti Roger Federer është sportisti më i paguar në botë për vitin 2020, pasi pandemia COVID-19 e ka rrëzuar futbollistin Lionel Messi nga pozita e parë. Lista vjetore e Forbes është publikuar të premten.

Ylli i tenisit nga Zvicra, Federer, ka fituar 106,3 milionë dollarë në 12 muajt e fundit, duke përfshirë 100 milionë përmes marrëveshjeve reklamuese. Federer ka përparuar katër pozita dhe është bërë i pari i sportit të tij që del në krye të listës.

Futbollistët Cristiano Ronaldo (105 milionë dollarë), Messi (104) dhe Neymar (95.5) si dhe basketbollisti amerikan LeBron James (88,2) zënë vend në pesëshen e parë.

“Pandemia e koronavirusit ka bërë që të ketë ulje të pagave për yjet e futbollit, Messi dhe Ronaldo, duke hapur rrugën që një tenist të renditet si sportisti më i paguar në botë, për herë të parë”, ka thënë Kurt Badenhausen, redaktor në Forbes.

Japonezja Naomi Osaka (37,4 milionë dollarë), që renditet e 29-ta në listë, tejkaloi tenisten tjetër Serena Williams (36 milionë dollarë) si sportistja më e paguar në botë. Osaka dhe Williams janë të vetmet në listë.