Vetëm 65 persona janë dënuar për krime të luftës në Kosovë
Për 13 mijë e 500 të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga 111 personat e akuzuar janë dënuar vetëm 65 nga gjykata në Kosovë, Serbi si dhe nga gjykata e Hagës.
Tribunali i Hagës pas përfundimit të luftës filloi punën në hetimin dhe gjykimin e krimeve. UNMIK-u më pas u morë me këto lëndë, për të vazhduar më pas nga EULEX-i deri në marrjen e kompetencave nga vendorë.
Përderisa edhe në Serbi vitin 2008 është themeluar një departament i veçantë në kuadër të Gjykatës së lartës për gjykimin e këtyre krimeve. Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i gjykimeve për krime të luftës, në një intervistë për Ekonomia Online, tha 65 persona të cilët janë akuzuar për krime lufte në Kosovë, janë dënuar me 558 vjet burgim.
“Që nga përfundimi i luftës, këto procese gjyqësore kanë filluar të gjykohen nga Tribunalin e Hagës dhe paralelisht me atë i kanë gjykuar edhe prokurorët dhe gjyqtarët vendorë, por menjëherë në vitin 2000, këto kompetenca kanë kaluar tek misioni ndërkombëtarë, UNMIKU, në 2009 ka filluar EULEX-i dhe së fundi këto kompetenca të EULEX-it, janë ndërprerë, në kohët e fundit, gjyqësori vendor i ka këto kompetenca me i hetuar dhe gjykuar krimet e luftës, këto raste poashtu janë gjykuar edhe nga gjykatat vendore në Serbi, fillimit kanë filluar me u gjykuar nga gjykatat e qarkut të disa qyteteve, mandej në 2008 është krijuar një departament në kuadër të gjykatës së lartë i cili merret me gjykimin e krimeve të luftës”.
“Gjatë periudhës kohore 1998-2000, sipas të dhënave të fondit, janë vrarë dhe zhdukur rreth 13 mijë e 500 viktima, për këto 13 mijë e 500 viktima në total duke i llogaritur aktgjykimet në Kosovë në Serbi, Hagë dhe kudo që janë marrë me gjykimin e krimeve të luftës, janë dënuar gjithsej 65 persona, në Hagë i kemi disa gjykime ndaj eprorëve politik dhe ushtarak, ndërsa në gjykata vendore janë dënuar personat me përgjegjësi më të ulët. 65 persona në total janë dënuar me 558 vite burgim, në këtë moment pranë gjykatave të Kosovës, janë duke u gjykuar 3 shqiptarë dhe 3 serb, po ashtu i kemi edhe 6 persona të arrestuar, ku procedura ndaj tyre është ende në hetime, ata janë 3 serb, 1 boshnjak dhe 1 shqiptar”, tha Alija.
Alija tha se sfidë mbetet mosbashkëpunimi i Serbisë dhe Kosovës për shkëmbimin e informatave lidhur me kryesit e këtyre krimeve.
“Këto gjykime nuk kanë treguar ndonjë rezultat të madh sa i përket dënimit të kryersve të krimeve të luftës, për arsye se ekzistojnë disa sfida me të cilat ballafaqohen këto procese, si sfida kryesore është mos bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë, bashkëpunimi ndërkombëtarë juridik për krimet e luftës, në disa raste që nuk lidhen me krimet e luftës, Kosova dhe Serbia shkëmbejnë informata, por në rastet e krimeve të luftës, ata nuk kanë kurrfarë bashkëpunimi dhe kjo është pengesa më e madhe pse nuk ka rezultate të mëdha, pasi pas nënshkrimit të marrëveshjes të Kumanovës, forcat serbe janë tërhequr nga territori i Kosovës dhe Kosova e Serbia nuk i ekstradojnë e as nuk i shkëmbejnë informatat”.
Alija thotë mungesa e prokurorëve, por edhe stafit mbështetës, sidomos në Prokurorinë Speciale, mbetet sfidë tjetër e cila prekë grumbullimin e dëshmive të krimeve të luftës.Ai shton se edhe mungesa e të dhënave po pamundëson proceset e hetimeve dhe hulumtimeve për këto krime.“Sfida e radhës, ka qenë sigurimi i dëshmitarit, pasi në gjithë këto raste, ndër provat kryesore është memoria e dëshmitarit dhe dëshmia e tij, përgjatë 20 viteve, dëshmitarët vdesin dhe ka mundësi që një numër shumë i madh i kryesve të mos dënohet dhe numri i madh i krimeve kurrë të mos procedohet pranë organeve gjyqësore, sfidat momentale tek departamenti për krime të rënda në Prokurorinë Speciale, sipas nesh është numri i vogël i prokurorëve, këta prokurorë nuk kanë mjaftueshëm staf mbështetës të cilët kanë punuar më herët dhe kanë njohuri të mëdha për krimet e luftës, mendoj se kanë nevojë për trajnime, për më shumë aktakuza”.
“Departamenti Special në Prishtinë, ata nuk kanë mjaftueshëm, në kuadër të prokurorisë speciale nuk posedojmë të të dhënave për të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë, prokuroria speciale kanë një pengesë të një data-bazë ku po që se ekzistonte kjo bazë atëherë do të ishte më lehtë për t’i hetuar dhe hetuar krimet”.
Sipas avokatit Tomë Gashi, për krimet e luftës janë dënuar më shumë ish-ushtarë të UÇK-së se sa serbët.Gashi tutje shton se mungesa e prokurorëve kosovarë për t’i hetuar këto krime, është një sjellje degraduese, por edhe fyese për të gjitha viktimat e luftës dhe familjet e tyre.
“Gjithmonë prej 12 qershorit të vitit 1999 deri më tani nuk ka pasur vullnet politik që të identifikohen dhe zbulohen ata që kanë kryer krime të luftës në Kosovë, për forcat serbe, ushtarë për ushtrinë serbe dhe të tjerë që janë involvuar dhe ne kemi rreth 15 mijë shqiptarë të vrarë civilë gjatë vitit 1998-1999 dhe kemi një numër të vogël të atyre që janë akuzuar dhe gjykuar, që të jetë ironia më e madhe, ne deri tani kemi pasë të gjykuar shumicën e tyre ish-pjesëtarë të UÇK-së për rastet e krimeve të luftës dhe nuk kemi pasë asnjë rast të akuzimit dhe dënimit të serbëve, policëve dhe ushtarëve serb që kanë kryer masakra në Kosovë”.“…ka qenë një neglizhencë totale edhe e institucioneve të Kosovës, që nuk janë marrë për 20 vjet me këtë çështje më të dhimbshme pasi ju ka munguar vullneti politik, por edhe tashmë kemi vetëm tre prokurorë që merren me rastet e krimeve të luftës dhe besoj që kjo është e pamjaftueshme dhe një sjellje e degraduar dhe fyese ndaj viktimave të luftës që 3 persona të merren me këtë çështje”, tha Gashi.
Ndërsa sipas kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, Prokuroria e Shtetit po punon në ndjekjen dhe hetimin e atyre të cilët kanë kryer krime.Sipas Lumezit, për të rënë në gjurmët e këtyre personave, Prokurorisë së Kosovës i duhet edhe ndihma e shteteve të tjera.
“Ne e kemi departamentin për krimet e luftës i cili funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale dhe aty i kemi tre prokurorë, ata çdo ditë punojnë me lëndë, nxjerrin aktvendime për fillimin e hetimeve, bëjnë kërkesa të ndryshme të Policisë së Kosovës për grumbullimin e informacioneve të cilat janë të nevojshme për fillimin e procedurës penale dhe ngrisin akte akuzuese”.
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ku përfshihet edhe gjykimi në mungesë, ai shprehet i bindur se do të ketë rezultate në këtë drejtim.“…jemi duke bashkëpunuar edhe me shtete të tjera për gjetjen e informacioneve dhe grumbullimin e informatave të nevojshme për këto raste, mirëpo ju e dini që një numër i madh i kryerësve të veprave penale ose kryerësve të krimeve të luftës nuk gjenden në territorin e Kosovës, ata janë jashtë territorit të Kosovës, ne kemi lëshuar edhe urdhër-arreste ndërkombëtare për disa persona, kemi dëgjuar edhe për disa persona që gjenden jashtë territorit të Kosovës e që janë të dënuar nga Tribunali i Hagës”.“…kështu që jemi duke punuar t’i identifikojmë kryerësit e veprave penale edhe urdhërdhënësit dhe kryerjen e këtyre veprave penale dhe shpresojmë që edhe me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ku fitohet e drejta që të akuzohen personat edhe në mungesë, do të kemi rezultate konkrete në këtë drejtim”, u shpreh Lumezi.
Krimet e luftës në Kosovës do të gjykohen edhe nga një Gjykatë e formuar nga kosovarët me seli në Hagë, e njohur si Gjykata Speciale. Specialja do të gjykojë krimet e pretenduara të ish-ushtarëve të UÇK-së gjatë luftës.Fesat për intervistim nga kjo gjykatë janë shtuar ditëve të fundit, të enjten ftesë ka marrë edhe kreu i Kuvendit, njëherit edhe i PDK-së, Kadri Veseli