Lajme

Escobar: Serbia dhe Kosova nuk po i zbatojnë marrëveshjet e arritura

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se as Kosova e as Serbia nuk po i zbatojnë marrëveshjet e arritura së fundmi mes dy shteteve. Ai ka deklaruar se pritjet e SHBA-së janë që të vazhdohet përpara me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Me duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash”, ka thënë ai për televizionin publik të Kosovës nga Mali i Zi, ku qëndroi për inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi.

Ai nuk ka pranuar se Asociacioni është hapi i parë që duhet të bëhet në marrëveshje, duke deklaruar se janë të gjitha pikat që duhet të bëhen.

“Por është përgjegjësi kryesore e Kosovës që të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Çka duam ne si SHBA që është statuti për Asociacionin do të duhej kryer e të bëhet sa më parë. Po shpresoj që kjo të kryhet së shpejti”, ka thënë ai.

Si hap urgjent për të dyja shtetet, Escobar ka porositur që të “rifokusohen në normalizim, që të punohet për rikthim të serbëve në institucione dhe të fillojnë të mendojnë si t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre”.

Escobar ka përsëritur se Asociacioni është “mundësi për Kosovën që të sigurojë shërbime komunale për njerëzit e shtetit të tyre që flasin gjuhën serbe”.

Ai ka thënë sërish se Asociacioni nuk duhet të bjerë ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Është mënyrë për t’ua hapur derën për integrim më të madh të minoritetit serb në strukturat e Kosovës. Ky gjithmonë ka qenë qëndrimi ynë. Ne duhet të kuptojmë se ata janë shtetas të dyfishtë. Ne dëshirojmë që ta bëjmë në atë mënyrë që nuk krijon problem me Kushtetutën”, ka thënë ai./rtk