Lajme

Milan Radoiçiq dhe djali i Vuçiqit takojnë serbët e Kosovës që u nisën për në Beograd

Lista Serbe përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kanë vizituar serbët të cilët janë nisur nga Kosova për të marrë pjesë në mitingun e organizuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

“Ata i vizituan heronjtë me KiM në pushimin e tyre në Çuprija dhe me atë rast i falënderuan personalisht për mbështetjen ndaj shtetit të Serbisë, patriotizmin dhe që me shembullin e tyre treguan se si Serbia është e dashur dhe e respektuar”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Radoiçiq, i cili është nënkryetar i Listës Serbe, është i dyshuar edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ai strehohet në Serbi, prej kur autoritetet kosovare kanë lëshuar fletarrestim. Dhe, në një nga tentimet për t’u futur në Kosovë, është kapur në pikëkalim nga policia, por mbërriti t’u ikte nga duart.

Vitin e kaluar sfidoi institucionet, kur lansoi nga veriu një video duke kërcënuar: “Unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo, sepse nga këtu nuk ka kthim”.

Radojiçiq u bë temë debati edhe në Kuvendin e Serbisë. Opozitarët thanë se edhe shteti i tyre është në hall me të, pasi u raportua se nëpërmjet tenderëve qeveritarë, kompanitë e kapos së veriut të Kosovës kanë pasur fitime të mëdha.