Epidemiologu Tiodoroviq nesër do t’a vizitojë Bujanocin
Epidemiologu Dr Branislav Tiodoroviq, anëtar i Shtabit republikan të krizave, do të marrë pjesë në seancën e Shtabit për situata të jashtëzakonshme të komunës së Bujanocit, të planifikuar për të mërkurën (5 gusht), në të cilën do të diskutohet situata epidemiologjike në Bujanoc.
Këtë e konfirmoi për portalin Bujanocaçke drejtoresha e Shtëpisë së shëndetit në Bujanoc, Dr.Llella Jovanoviq, duke thënë se Dr. Tiodoroviq do të qëndrojë në entin shëndetësor në Bujanoc gjatë ditës.
– Dr. Tiodoroviq vie në Bujanoc sepse është e nevojshme – tha shkurt Dr. Jovanoviq në pyetjen tonë nëse ardhja e një anëtari të shquar të Shtabit të Krizave do të thotë se situata me kovid-19 në Bujanoc është përkeqësuar edhe më shumë.
Ajo theksoi se në seancën e nesërme nuk do të propozojë zbutjen e masave kundër Covid-19 të miratuara javën e kaluar, mes të cilave është edhe ndalimi i punës së objekteve hotelierike nga ora 21 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit.
– Nuk flitet për zbutjen e masave, sigurisht që unë nuk do ta sugjeroj këtë, duke marrë parasysh situatën në komunë – thotë Dr. Jovanoviq.
Sipas të dhënave më të fundit nga Shtëpia e shëndetit, që nga fillimi i epidemisë në Bujanoc janë regjistruar 140 raste me Covid-19, ndërsa të hënën infeksioni është konfirmuar edhe te dhjetë persona të tjerë, banorë të Bujanocit, Tërnocit dhe fshatrave nga zona e Klenikut.
Përveç situatës me Covid-19, Shtabi gjithashtu do ta shqyrtoj edhe raportin e Inspektsionit komunal mbi kontrollin e kryer të zbatimit të masave të përcaktuara mbrojtëse.