Shqipëri

Edi Rama emëron një ministre të krijuar me inteligjencë artificiale

Një ministre e re në Shqipëri, që do të merret me prokurimet publike, do të jetë krejtësisht e mbrojtur nga tentimet për ryshfet, kërcënime ose përpjekje të tjera për ta korruptuar. Sepse, ministrja e re, e quajtur Diella, është një bot i gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili është në prag të nisjes së mandatit të katërt, tha më 11 shtator se Diella do të menaxhojë dhe do të miratojë të gjithë tenderët publikë ku qeveria kontrakton kompani private për projekte të ndryshme.

“Diella është anëtarja e parë e kabinetit që nuk është e pranishme fizikisht, por është e krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”, tha Rama gjatë prezantimit të kabinetit të ri.

Ajo do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet “një vend ku tenderët publikë janë 100 për qind të lirë nga korrupsioni”.

Dhënia e kontratave të tilla prej kohësh ka qenë burim i skandaleve korruptive në Shqipëri, shtet që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Rama synon që vendi të bëhet pjesë e bllokut evropian deri në vitin 2030.

Rama nuk tregoi detaje se çfarë mbikëqyrje njerëzore mund të ketë për Diellën, ose nëse janë adresuar rreziqet që dikush mund ta manipulojë botin.

Diella u lansua në fillim të këtij viti si një asistente virtuale me inteligjencë artificiale në platformën e-Albania, duke ndihmuar qytetarët dhe bizneset të marrin dokumente shtetërore. E veshur me veshje tradicionale shqiptare, ajo ofron ndihmë përmes komandave zanore dhe lëshon dokumente me vula elektronike, duke reduktuar vonesat burokratike.

Por, jo të gjithë janë të bindur se Diella do të jetë e pakorruptuar. Një përdorues në Facebook komentoi: “Edhe Diella do të korruptohet në Shqipëri”. Një tjetër tha: “Vjedhjet do të vazhdojnë dhe fajin do ta ketë Diella”.

Parlamenti i ri, i zgjedhur në maj, është planifikuar të mblidhet të premten, megjithëse mbetet e paqartë nëse Qeveria e re shqiptare do të votohet të njëjtën ditë.