Edhe PVD u bënë thirrje partive politike për unitet në zgjedhjet parlamentare në Serbi
Partia për Veprim Demokratik në mbledhjen e mbajtur të martën ka vendosur që kandidat për deputet në parlamentin e Serbisë do të jetë kryetari i saj Shaip Kamberi. Njëherit u ka bërë thirrje partive tjer si APN-së, PDSH-së, PD-sē, LR-së, LPD-së dhe UDSH-së për takim, transmeton Ministri e Lajmeve.
Kumtesë e Partisë për Veprim Demokratik
Këshilli Qendror i Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka shqyrtuar gjendjen politike në Luginën e Preshevës, me fokus të veçantë çështjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, si pasojë e ndërprerjes së parakohshme të kësaj legjislature.
Këshilli Qendror i PVD-së ka vlerësuar pozitivisht punën dhe angazhimin e Grupit Parlamentar ‘Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak’, që ka dëshmuar se përfaqësimi në parlament merr kuptim dhe vlerë nëse ushtron politika të duhura dhe të mira.
Lidhur me procesin e mëtutjeshëm në raport me zgjedhjet parlamentare, Këshilli Qendror ka vendosur :
1/ Partia për Veprim Demokratik do të marrë pjesë në zgjedhje e reja parlamentare.
2/ Partia për Veprim Demokratik kandidon kryetarin e saj, z. Shaip Kamberi, për kandidat për deputet.
3/ Partia për Veprim Demokratik angazhohet për listë të përbashkët të subjekteve politike shqiptare nga Lugina e Preshevës.
4/ Partia për Veprim Demokratik fton partitë politike shqiptare, me përfaqësues të zgjedhur në zgjedhjet pjesëmarrëse, në zgjedhjet lokale dhe të Këshillit Kombëtar Shqiptar; Alternativën për Ndryshim, Partinë Demokratike, Partinë Demokratike Shqiptare, Lëvizjen për Reforma, Lëvizjen për Progres Demokratik dhe Unionin Demokratik Shqiptar, për një takim të përbashkët, të premten më 18 shkurt 2022, me fillim në ora 19:00, në Sallën e Konferencave të Komunës së Preshevës, me propozim për rend të ditës, çështjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Shërbimi për Informim i
Partisë për Veprim Demokratik