Edhe nga 20 euro për qytetarët e Serbisë në dhjetor
Në kuadër të ndihmës shtetërore, përveç 30 + 30 eurove të paralajmëruara më parë, 20 euro të tjera do t’i paguhen qytetarëve në dhjetor.
30 eurot e para në llogaritë e qytetarëve të regjistruar i janë shpërndarë në maj, dhe 30 euro të tjera priten të shpërndahen gjatë muajit nëntor. Ata që nuk kanë aplikuar për ndihmë, ose ndërkohë janë bërë të rritur, për 20 eurot e dhjetorit mund të aplikojnë në gjysmën e dytë të nëntorit, u njoftua pas seancës së sotme të Qeverisë së Serbisë.
Në seancën e sotme, Qeveria e Serbisë miratoi ndryshimet në Ligjin për Regjistrin e Përkohshëm të Qytetarëve të rritur të cilëve i ofrohet ndihmë financiare, e që përcakton dhënien e ndihmës shtesë një herë prej 20 euro (në dinarë), gjatë muajit dhjetor, tha Qeveria në një deklaratë.
“Qytetarët që nuk kanë aplikuar për ndihmë shtesë financiare prej 30 + 30 euro, si dhe ata që mbushën 18 vjeç pas datës 24 prill 2021, kur Ligji hyri në fuqi, mund ta bëjnë këtë nga 15 deri më 30 nëntor 2021” ka njoftuar Qeveria e Serbisë, duke theksuar se në atë mënyrë ajo vazhdon të ofrojë ndihmë për qytetarët për shkak të pandemisë me koronavirus.