DW: A do hetohet Rama pas deklaratave të Tahirit për pasurinë
Gjykata e Krimeve të Rënda e shtyu për në 19 shtator vijimin e procesit gjyqësor për ish-ministrin Saimir Tahiri. Rifillimi i gjyqit të martën bëri publike përfundimin e hetimeve dhe pretencën e prokurorëve: 12 vjet burg për Tahirin, të akuzuar për veprën penale të bashkëpunimit me një grup kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë, në periudhën 2013-2015, kur ai ishte Ministër i Brendshëm në mandatin e parë qeverisës të kryeministrit Rama.
Tahiri: Jam i pafajshëm
Ish-ministri Tahiri tha të martën, pas pretencës së akuzës, se ka besim tek drejtësia dhe kërkoi pafajësi. Ai tha se “e pret me padurim seancën e 19 shtatorit, pasi është i pafajshëm dhe ndaj tij po bëhet një proces gjyqësor i stisur, i gënjeshtërt me akuza të pabazuara në prova”.
“Ato që thotë Prokuroria shqiptare janë gënjeshtra dhe antimafia italiane i ka hedhur poshtë. Kam dhënë dorëheqje nga mandati i deputetit, që të përballem me drejtësinë si qytetar. Kam refuzuar t‘i përgjigjem akuzave të Prokurorisë duke shpresuar se e vërteta do dalë në dritë”, deklaroi Tahrti pas përfundimit të seancës.
Prokuroria hetime për lidershipin socialist?!
Tahiri duket, se e ka vënë në vështirësi organin e akuzës që dha pretencën ndaj tij për 12 vjet burg, kur u ndal në domethënien e një përgjimi, që i përket vitit 2013 dhe fushatës së PS për zgjedhjet parlamentare të 2013.
“Nëse Prokuroria ka një përgjim, ku ministri i Brendshëm harxhon 20 milionë euro në fushatë, kur kisha vetëm 1 muaj në detyrë ndërkohë dhe dy trafikantë bisedonin që ai merr 5 milionë euro apo harxhon 20 milionë euro në fushatë elektorale; nëse Prokuroria e merr seriozisht këtë përgjim duhet të bënte hatanë, nuk duhet të kursente njeri pa hetuar, duhet të kishte hapur hetim pas hetimi, ç’është ky njeri, kjo parti, këta njerëz që harxhokan 20 milionë euro në një fushatë elektorale”, tha Tahiri.
Drejtësia e reformuar
Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Brendshëm Tahiri është i pari në Shqipëri, që po zhvillohet nga drejtësia e reformuar, me gjykatës dhe prokurorë që kanë kaluar vettingun. Në këto rrethana, vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk e pret me padurim vetëm ish-ministri i Brendshëm Tahiri por edhe qytetarët. Ata presin që drejtësia e reformuar të bëjë drejtësi, që Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të veprojë dhe përligjë pritshmëritë e tyre për drejtësi të pavarur nga politika, profesionale dhe të pakorruptueshme. Në pothuaj tri dekada pandëshkueshmëria e politikanëve të lartë erdhi dhe u betonizua në Shqipëri.
E shkuara, jo e largët, ofron raste flagrante të këtij realiteti. Ndër to më të spikaturat janë trazirat e vitit 1997, kur shembja e skemave piramidale e ҫoi vendin në prag të luftës civile, kur popullsia civile hapi depot e armëve dhe u armatos, kur bandat kriminale lulëzuan. Por viti i mbrapshtë 1997 ka mbetur, edhe sot e kësaj dite, në errësirën e kompromisit politik mes dy palëve. I kryer para 22 viteve, ai kompromis, rezultoi fatal: i hapi rrugën mbylljes për arsye procedurale të hetimeve për korrupsion dhe “avullimin” e 230 milion eurove në projektin për ndërtimin e rrugës Durrës –Kukës në vitin 2010, vrasjes së 4 qytetarëve, protestues të paarmatosur në 21 janar 2011 apo kanabizimit të Shqipërisë pas shkatërrimit të fortesës së drogës në Lazarat, në 2014.
Bërja drejtësi ndaj ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, dënimi i tij me burg ose dhënia e pafajësisë duhet të dëshmojë të jetë fillimi i fundit të kompromiseve të tilla politike dhe i të bërit drejtësi.
Qytetarët e Shqipërisë, BE dhe SHBA , që kanë investuar fonde të mëdha financiare dhe ekspertizë për kryerjen e reformës në Drejtësi presin ndëshkimin e ish-politikanëve të lartë në pothuaj tri dekada si edhe politikanëve të lartë apo atyre aktualë për korrupsion, abuzim me fonde publike apo akte kriminale. /DW