Duka takohet me Sinanin: Presheva nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit
Mundësi të reja për të rinjtë shqiptarë nga Lugina
Sot është formalizuar bashkëpunimi mes Komunës së Preshevës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), përmes një Memorandumi Bashkëpunimi të nënshkruar në Tiranë. Marrëveshja parasheh hapjen e shtigjeve dhe mundësive të reja për zhvillimin e futbollit në Luginën e Preshevës, veçanërisht për të rinjtë me talent sportiv.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka vlerësuar këtë akt si një hap historik që i jep drejtim të ri sportit në komunë.
“Ky bashkëpunim i filluar zyrtarisht sot do ta bëjë Federatën Shqiptare të Futbollit pjesë përbërëse të Luginës. E në një të ardhme, do ta bëjë Luginën pjesë të përhershme të FSHF-së, duke ua mundësuar të rinjve tanë që të mbrojnë ngjyrat e kombëtares sonë,” – ka deklaruar Sinani.
Sipas saj, ky bashkëpunim shënon realizimin e një ëndrre të kahmotshme të shumë të rinjve nga Lugina, të cilët për shkak të kufizimeve të ndryshme nuk kanë pasur mundësi të zhvillohen në nivel kombëtar.
Sinani theksoi gjithashtu se përmes këtij bashkëpunimi po përmbyllet edhe një amanet simbolik i të ndjerit Hasan Kadriu, menaxherit të parë shqiptar në FIFA, duke e cilësuar këtë si një “shpërblim të vonuar, por të merituar për Preshevën”.
Në emër të të rinjve futbollistë, kryetarja Sinani shprehu mirënjohje të veçantë për presidentin e FSHF-së, z. Armando Duka, për mbështetjen dhe prioritetin që i ka dhënë Luginës së Preshevës në politikat e zhvillimit sportiv.
“Memorandumi i nënshkruar sot është vetëm hapi i parë drejt zhvillimit dhe afirmimit të futbollistëve shqiptarë nga Lugina, duke iu siguruar atyre edhe infrastrukturë moderne për futboll,” – shtoi ajo.
Ky bashkëpunim pritet të hapë rrugën për projekte konkrete në ndërtimin e fushave sportive, organizimin e kampeve stërvitore dhe përfshirjen e talenteve të rinj në programet e FSHF-së.
