Futboll

Drama e Hakan Sukur: Dikur yll futbolli, sot mbijeton duke punuar si taksist

Dikur ishte një idhull për të gjithë turqit dhe arriti të veshë fanellën e disa klubeve të mëdha Europiane, mes të cilave edhe atë zikaltër të Interit, ndërsa sot i duhet të punojë shumë për të siguruar mbijetesën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bëhet fjalë për ish sulmuesin e kombëtares turke Hakan Shukur, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara dhe akuzohet nga regjimi i Erdoganit si tradhtar dhe puçist në grushtin e shtetit të 2016-ës, ndaj nuk kthehet dot në vendlindjen e tij.

“Nuk më ka mbetur më asgjë, pasi kanë marrë gjithçka që më përkiste mua, përfshi këtu edhe të drejtën për t’u shprehur, për të qenë i lirë dhe për të punuar. Tani më duhet të shes libra dhe të punoj si taksist me një Uber, për të siguruar jetesën”, deklaroi ish sulmuesi turk.

Pasi e mbylli me futbollin e luajtur, Hakan Sukur vendosi të angazhohet në politikë, pikërisht me partinë e Rexhep Taip Erdogan, por më pas marrëdhëniet mes tyre u prishën dhe presidenti turk akuzon ish sulmuesin se bashkëpunon me grupin e Fetullah Gulenit.

“Më ftuan në parti për të përfituar nga popullariteti im, por më pas filluan problemet. Fillimisht gjuajtën me gurë në butikun e bashkëshortes time, më vonë më kërcënuan fëmijët dhe më pas më vunë mina në derën e zyrës, ndaj u detyrova të largohem. Menjëherë pas largimit tim, arrestuan babanë tim dhe më pas më konfiskuan çdo pronë e pasuri që kisha në Turqi”, tregon ndër të tjera Sukur.

Më pas ish sulmuesi tregon edhe si lindi ideja për t’u angazhuar në politikë, komenton akuzat e qeverisë turke, që e cilësojnë atë një puçist dhe në fund ka një mesazh për presidentin turk Rexhep Taip Erdogan.

“Kur aderova në AKP, Turqia ishte një vend konform standardeve europiane, por më pas politika e Erdoganit devijoi tërësisht rrugën e vendit. Më akuzojnë si puçist, tradhtar dhe terrorist, por askush nuk është në gjendje të shpjegojë se si mund të kem ndikuar unë në grushtin e shtetit.

Unë jam armik i qeverisë, por jo i popullit dhe vendit tim. E dua shumë flamurin turk dhe atdheun tim. Erdogan duhet të kthehet nga demokracia, drejtësia dhe liria. Duhet të interesohet më shumë për problemet e njerëzve dhe të bëhet presidenti për të cilin Turqia ka nevojë”, u shpreh Sukur.