Lajme

Djali i vëllait të Jakup Krasniqit rrihet me sekretarin e Ministrisë së Tregtisë

Djali i vëllait të Jakup Krasniqit, Arian Krasniqi, dyshohet e ka sulmuar fizikisht sekretarin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Burim Rreci, mëson Gazeta Express.

Rrahja ka ndodhur para pak minutash, derisa momentalisht në vend të ngjarjes është policia.

Ky institucion ka bërë të ditur për Express, se rasti ka ndodhur rreth orës 14:00, derisa një person ka pësuar lëndime trupore.

“Sot rreth orës 14:00 kemi pranuar një informatë për një përleshje fizike në MTI, ku një person ka pësuar lëndime trupore. Njësitet e nevojshme policore janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin”, ka thënë zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

Raportohet se deri te sulmi kishte ardhur pasi që Krasniqi kishte kërkuar nënshkrimin e pagesave të udhëtimeve që i ka bërë jashtë vendit, por, që një gjë të tillë nuk ia kishte dorëzuar sekretari Rreci.

Ndryshe, Arian Krasniqi është djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi ishte punësuar si këshilltar politik i ministrit në detyrë, Endrit Shala, i cili akoma po e mban pozitën.