KryesoreShqipëri

Disa nga vendet që duhet vizituar në Shqipëri

Shqipëria është një tokë e mbushur plot surpriza dhe e aftë për të mahnitur edhe turistin më skeptik. E gjendur mes maleve dhe detit, Shqipëria është një vend ku mund të ngelesh pa mend nga kultura dhe nga panoramat e saj natyrore.


Peisazhe shumëngjyrëshe, liqene, male të larta, lumenj, lugina, dete. Kjo është panorama që ofron Shqipëria për çdo turist të huaj që dëshiron të eksplorojë një vend të panjohur më parë.

Bukuritë e rralla natyrore vinë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike të trashëguar nga paraardhësit tanë. Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse e shqiptarëve, një vlerë kjo e njohur brez pas brezi.Nëse jeni gati, por edhe nëse keni ende dyshime, turistë të huaj por edhe vendas ju paraqesim 5 vendet turistike që do t’iu impresionojnë:

Gjiri i Grames ne Dhërmi

Gjiri i Gramës në Gadishulli i Karaburunit i njohur si Gjiri i Grammatas , ndodhet ne rreze te shpatit perëndimor, shumë të thiktë të tij në Orikumin e afërt. Gjiri i Grames ka shërbyer si një vend strehimi për anijet që gjendeshin në vështirësi përgjatë këtij bregdeti të rrezikshëm në vështirësitë e motit. Ky gji ka shërbyer fillimisht si zonë e shfrytëzimit të gurit lokal, në gurore të medha, gjurmët e të cilave duken edhe sot në të dy shpatet. Emri i Gramës është i lidhur në mënyrë të qartë me mbishkrimet e gdhendura që në antikitet, mbishkrimet shkëmbore kanë qenë të shumta në gjirin e Gramës, aty numërohen me shumë se 1500 mbishkrime.

Plazhi i Ksamilit

Ksamili përfaqëson një prej vendpushimeve bregdetare më të frekuentara gjatë verës. Qyteza e vendosur në skajin jugor të vendit ofron plazhe të vogla e të pastra, ndër më të bukurat e bregdetit Jonian. Shumë vizitorë e përzgjedhin Ksamilin për magjinë e ishujve dhe qetësinë. Plazhet e vendosura vetëm pak km në jug të qytetit të Sarandës dhe shumë pranë Parkut Kombëtar të Butrintit i lejojnë pushuesve akses të lehtë për këto dy destinacione të jetës së mbrëmjes dhe turizmit kulturor.

Lugina e Valbones

Të apasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun kombëtar të Luginës së Valbonës e cila të magjeps me pasurinë natyrore. Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore. Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.

Syri i Kaltër, Sarandë

Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës. Bimësia që rrethon Syrin në pjesën e lartme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur “Syri i Kaltër”. Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë. Sot gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos. Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.