Diplomati Lauka për Thaçin dhe Mustafën: Konspiracioni i gjarpërit dhe i dhelprës, dështoi
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Dr. Islam Lauka, ka komentuar situatën politike në Kosovës, përkatësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit Hashim Thaҫit për mandatimin e qeverisë së re, te udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Ai në postimin e tij në Facebook, e ka bërë të qartë mendimin e tij rreth kësaj çështje.
Gjithashtu, ai ka shtuar se “konspiracioni i gjarpërit dhe i dhelprës për të anashkaluar Gjykatën Kushtetuese dhe për ta vendosur qeverinë Kurti para aktit të kryer, duke shfrytëzuar tre ditët e pushimit të kësaj fundjave, dështoi”
Postimi i plotë:
Një dështim ogurmirë
Sot do të duhej të mblidhej Kuvendi i Kosovës për të “bekuar” qeverinë e re të lindur nga martesa e moҫme e Hashim Thaҫit me Isa Mustafën.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi të pezullojë zbatimin e dekretit të Presidentit Thaҫi për mandatimin e kësaj qeverie. Konspiracioni i gjarpërit dhe i dhelprës për të anashkaluar Gjykatën Kushtetuese dhe për ta vendosur qeverinë Kurti para aktit të kryer, duke shfrytëzuar tre ditët e pushimit të kësaj fundjave, dështoi. Një dështim ogurmirë, në interes të integritetit të institucioneve demokratike dhe të vet demokracisë në Kosovë.
Tani duhet pritur vendimi i 29 majit mbi kushtetueshmërinë e akteve të Presidentit. Mendimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar – kemi të bëjmë me shkelje të hapur të Kushtetutës sonë dhe, jo një qeveri antikushtetuese, por zgjedhjet e reja janë të domosdoshme dhe të pashmangshme.
Uroj qё vendimi i Gjykatës Kushtetuese të shkojë në këtë drejtim.