Bota

Deri më tani tetë të vdekur nga zjarret në Turqi

Numri i të vdekurve nga zjarret në bregdetin jugor të Turqisë u rrit në tetë të dielën, pasi zjarrfikësit luftuan për të pestën ditë për të kontrolluar zjarret që ende ndizen në qytetet turistike bregdetare.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, dy persona të tjerë vdiqën të dielën për shkak të zjarreve në qytetin jugor të Manvgat, tha ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, duke shtuar se 10 të tjerë po merrnin trajtim në spital të asaj zone

Shumica e më shumë se 100 vatrave të zjarreve që shpërthyen në Turqi në pesë ditë e fundit janë vënë nën kontroll, thanë autoritetet.

Sidoqoftë, zjarret ishin ende aktive në Manavgat dhe në Marmaris, gjithashtu në qytetin e brendshëm të Milas, tha ministri i Pyjeve, Bekir Pakdemirli, duke shkaktuar evakuimin e disa zonave të banimit dhe hoteleve.

Në qytetin turistik të popullarizuar të Bodrumit, një grup turistësh dhe stafi i hotelit u evakuuan me anije, derisa flakët u përhapën dhe tymi mbuloi qiellin, treguan pamjet. Pakdemirli tha se zjarri në zonë ishte vënë nën kontroll të dielën në mëngjes.