Bota

Dënohet me vdekje ish-presidenti i Pakistanit

Ish-presidenti i Pakistanit, një ish-udhëheqës ushtarak, Pervez Musharraf është dënuar me vdekje.

Vendimi është marrë nga një trupë speciale prej tre personash, e formuar nga Gjykata Speciale.

Musharraf u dënua për tradhti të lartë ndaj kombit.

Akuza ka të bëjë me vendimin e marrë prej tij në vitin 2007 kur pezulloi Kushtetutën me vendosjen e “ligjit të emergjencës”, me qëllim për të zgjatur mandatin e tij, transmeton Koha.net.

Ai ndodhet aktualisht në Dubai dhe jo në Pakistan, pasi u largua nga vendi në vitin 2016 për trajtim mjekësor.

Gjenerali Musharraf e pushtoi vendin me një grusht shtet ushtarak në vitin 1999 dhe shërbeu si president i vendit nga 2001 deri në 2008.

Ai më pas lëshoi një video-deklaratë nga shtrati i spitalit ku është shtrirë, duke përshkruar çështjen kundër tij si “të pabazë”.

Gjenerali Musharraf është sundimtari i parë ushtarak që ka dalë ndonjëherë në gjyq në Pakistan për shkeljen e kushtetutës, raporton BBC.

Aktgjykimi u njoftua të martën.

Musharraf argumentoi se çështja ishte e motivuar politikisht dhe se veprimet që ai ndërmori më 2007 u pajtuan nga qeveria dhe kabineti. Por argumentet e tij u hodhën poshtë nga gjykatat dhe ai u akuzua se vepronte në mënyrë të paligjshme.

Sipas kushtetutës së Pakistanit, kushdo që është i dënuar për tradhti të lartë mund të përballet me dënimin me vdekje.