Lajme

Demaskohet diplomacia serbe / Beogradi e ka blerë 340 mijë dollarë vendimin nga Afrika Qendrore për ç‘njohjen e Kosovës

Rreth 340 mijë dollarë ka paguar Serbia për ta blerë letrën që e revokon njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Afrikës Qendrore. Këtë skandal të diplomacisë afrikane e ka zbuluar mediumi afrikan CNC, i cili tregon për takimin sekret në Francë të ministres së Jashtme të Afrikës Qendrore me këshilltarin e Daçiqit të emëruar me nofkën ‘Vlad’.

Vladimiri apo ‘Vladi’ thuhet se është emisari sekret i Daçiqit që e ka ngarkuar me detyrë në Afrikë, që të lobojë kundër Kosovës duke i korruptuar zyrtarët që janë të gatshëm për t’u korruptuar me para të majme.

Diplomacia serbe e udhëhequr nga Ivica Daçiq po e vazhdon fushatën e egër kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke pretenduar se shtete të ndryshme kryesisht afrikane kanë tërhequr njohjen për pavarësinë.

Në korrik të këtij viti në Serbi ishte prezantuar një dokument përmes të cilit Daçiq thoshte se Republika e Afrikës Qendrore ka tërhequr vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Por gjithçka rreth tërheqjes së kësaj njohje po del të jetë një skandal në diplomacinë e Republikës së Afrikës Qendrore, shkruan Gazeta Express.

Mediumi CNC nga Afrika Qendrore pas disa hulumtimeve të bëra ka zbuluar se si një i këshilltar i Ivica Daçiqit i njohur me nofkën ‘Vlad’, kishte takuar në Francë në mes të korrikut ministren e Punëve të Jashtme të Afrikës Qendrore, Sylvie Baipo Temon.

Në këtë takim këshilltari i Daçiqit i kishte ofruar ministres së Afrikës Qendrore një shumë prej 200 milionë frangave të Afrikës Qendrore që përkthyer në dollarë i bie diku rreth 340 mijë dollarë amerikan, në këmbim të letrës së tërheqjes së njohjes për pavarësinë e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Menjëherë pas këtij takimi në mediat serbe ishte shfaqur ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq me letrën për çnjohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës në dorë, ndërkohë thonë se ministrja e Afrikës Qendrore ishte kthyer fshehurazi në shtetin e saj më 24 korrik, pas takimit që kishte pasur me këshilltarin e Daçiqit, i cili thuhet se është caktuar për misionet sekrete të Serbisë në Afrikë.

Siç shkruan CNC fakti që habit të gjithë është se as kryeministri e as presidenti i Republikës së Afrikës Qendrore, nuk janë konsultuar nga ministrja e Punëve të Jashtme, për vendimin që mediumi afrikan e quan si personal të saj për tërheqjen e njohjes për pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë në këto pazare thuhet se është përfshirë edhe Rusia dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili ka vendosur ta mbështes ministren Sylvie Baipo Temon, duke i bërë presion qeverisë së Afrikës Qendrore që të pajtohej me letrën ku pretendohet tërheqja e njohjes për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Por ky nuk është skandali i vetëm në të cilin është përfshirë ministrja afrikane. CNC në këtë hulumtim të skandaleve të diplomacisë të Republikës së Afrikës Qendrore shkruan se ministrja e Jashtme është e përfshirë edhe në afera të ndryshme korruptive.

Gjithashtu ministrja afrikane thuhet se në mënyrë jo ligjore u ka siguruar familjarëve të saj pasaporta të falsifikuara diplomatike.

Të gjithë këto skandale të diplomacisë afrikane sipas këtij mediumi janë duke lëkundur qeverinë e kryeministrit të Republikës së Afrikës Qendrore Firmin NGRÉBADA