Lajme

Demaliaj: Kurti s’mori asnjë urim nga vendi prej nga vjen – mos e hiqni taksën

Shkumbin Demaliaj, deputet i AAK-së, ka thënë se VV-ja është e dobët karshi presionit ndërkombëtar.

Ai tha se më mirë është që të deklarohen se janë të dobët e s’po munden t’i bëjnë ballë presionit.

“Pranojeni: jemi të dobët, s’mund t’i qëndrojmë kësaj stuhie. S’po mundemi të ballafaqohemi as me LDK-në”, tha Demaliaj në Kuvend, duke iu referuar VV-së për çështjen e taksës.

Ai tha se “deputetët e Listës Serbe kanë qenë sot në Kuvend derisa Kurti ishte i pranishëm këtu”.

Demaliaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti edhe për emërimin e shoferit të tij në pozitën e këshilltarit politik.

“S’keni njerëz. Ndoshta ai është këshilltar për shoferë”, tha Demaliaj.

Për çështjen e Xhamajkës, Demaliaj tha se “këta e kanë përcjellë Hashimin në Twitter dhe janë deklaruar se kinse na ka njohur Xhamajka”.

“Ky është skandal diplomatik. S’bëhet diplomacia duke lexu në Facebook e portale”, tha ai.

Tutje, Demaliaj tha se ne më nuk e njohim Albin Kurtin.

“S’dua ta gjykoj, por dua ta di kush është ai. Asnjë urim nuk ka marrë Kurti prej vendit prej nga vjen”, tha Demaliaj, duke përfunduar fjalimin me “taksa nuk duhet me u heq”.