Lajme

Dalin rezultatet: Albin Kurti dhe të tjerët dalin negativ?!

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe zyrtarët tjerë qeveritarë të testuar kanë rezultuar negativ.

Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime të pakonfirmuara.

“Para pak minutash u është kumtuar Kurtit dhe të tjerëve se kanë dalë negativ nga testimi pas kontaktit me një të dyshuar si i prekur me koronavirus”, tha ky burim.

Gazeta Blic e ka provuar zëdhënësin e Qeverisë, për të konfirmuar këtë informacion, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ndërkohë, siç merr vesh Gazeta Blic sipas këtyre burimeve, ai nesër pritet të kthehet në punë.

Zyrtari i Ministrisë së Integrimeve, i cili u bë shkas që Kurti të vetizolohej sot, ka rezultuar negativ.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për Kohën.

Sot janë vetizoluar të dy kabinetet, ai i Qeverisë në detyrë dhe i Ministrisë së Integrimeve.

“Rastet e tilla si sot, duhet të na ftojnë për vëmendje, përkujdesje dhe në zbatimin e masave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të ekspertëve mjekësorë”, ka thënë Kryeziu.

Ndryshe, ishte vetë Kurti ai i cili përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ka pasur kontakt me një të dyshuar që është i prekur me koronavirus, raporton Gazeta Blic.

Njoftimi i plotë i Kurtit:

Të dashur qytetarë,

Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin.

Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE.

Do t’i kryejmë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë, do t’i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë.

Ju falemnderit.