Lajme

Daçiq vazhdon me propaganda: Prizreni ka qenë kryeqyteti i Serbisë

Ministri kontravers serb, Ivica Daçiq ka vazhduar me deklaratat e tij skandaloze.

Sipas tij Serbia është e gatshme për kompromis por do të jetë një marrëveshje e vështirë nëse Kosova kërkon njohjen e pavarësisë, shkruajnë mediat serbe, transmeton Indeksonline.

“Nëse dikush pret se zgjidhja e problemit që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, atëherë do të jetë një marrëveshje e vështirë” tha Daçiq.

Ai po ashtu paralajmëroi idenë e formimit të “Shqipërisë së Madhe”.

“Në Prishtinë ka 100 herë më shumë flamuj shqiptar se sa të Kosovës. Udhëheqësit e Prishtinës thonë se i pëlqen flamuri i tyre” u shprehë Daçiq duke shtuar se udhëheqësit shqiptarë mund të tregohen naivë dhe të pretendojnë se Kosova e Shqipëria janë dy shtete. Por sipas tij, serbët nuk janë fëmijë.

Ai po ashtu theksoi se shqiptarët nuk mund të kenë dy kombe në Evropë.

“Të jemi realist, ata duan të krijojnë një ‘Shqipëri të Madhe’ por jo me serbë” u shprehë ai.

Tutje, diplomati serb vazhdoi të tregohet skandaloz duke thënë se në një histori ju shumë të largët, në shekullin e 14-të, Prizreni ishte kryeqyteti i parë serb.

“Konflikti mes Serbisë dhe Turqisë ishte në Kosovë, për shkak se ajo ishte qendra e Serbisë, Beogradi ishte një periferi. Serbët u dëbuan gjatë pushtimit turk, popullsia u islamizua dhe u mbush me shqiptarë” u shprehë ai, duke shtuar që tash në Prizren jetojnë vetëm 25 serbë.

Sipas tij, ky është rezultat i spastrimit etnik.

Daçiq krahasoi rastin e Kosovës me atë të Katalonisë duke thënë se Evropa po përdor standarde të dyfishta.

“Kur Katalonia dëshiron të bëjë lëvizje të njëanshme, kjo është e papranueshme për BE dhe për disa vende të BE-së është e pranueshme të pranohen lëvizjet e njëanshme të Kosovës” përfundoi diplomati serb.