KryesoreLajme

Daçiq: Nuk e pranojmë sovranitetin e dyfishtë në Veri, sepse duhet ta njohim Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, thotë se ideja e shumëpërfolur për sovranitet të dyfishtë të veriut të Kosovës, është një gjë e papranueshme për Serbinë, pasi sipas tij për një gjë të tillë mund të mbahet një referendum pas një periudhe 10 vjeçare, dhe Serbisë do t’i duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës,

Megjithatë ai thotë se deri tani nuk është bërë asnjë propozim zyrtar lidhur me një ide të tillë.

Këto deklarata shefi i diplomacisë serbe i ka bërë gjatë një interviste në RTS, teksa ka folur për takimin e 29 prillit në kryeqytetin gjerman, e ku do të diskutohet në mënyrë të veçantë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Daçiq thotë se ftesa e Francës dhe Gjermanisë për një takim të tillë ka habitur edhe Brukselin, dhe shton se disa vende janë të pakënaqura që nuk janë ftuar

“Ky takim është thirrur dhe ka habitur edhe Brukselit pasi që nuk është pjesë e aktiviteteve, por ka edhe shtete të cilat janë të pakënaqura që nuk janë ftuar edhe pse janë pjesë e procesit të Berlinit, si p.sh Austria dhe Italia”, ka thënë Dacic duke treguar se edhe SHBA-të nuk do të jenë pjesë e këtij takimi, trasnmeton Gazeta Express.

Ai thotë se në Berlin nuk pritet të ketë ndonjë propozim për zgjidhje, por vetëm do të jetë një presion i mëtejshëm mbi Beogradin dhe Prishtinën për të vazhduar bisedimet në Bruksel.

“Për të vazhduar dialogun është e nevojshme të hiqet taksa. Kjo është kërkesa jonë. Ndoshta do të ketë presion për të vazhduar, që të kthehemi në dialog”, ka thënë ndër të tjera ai.

Sa i përket presionit ndaj Serbisë për të ndalë lobimin kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës, Daçiq ka thënë se një gjë e tillë është e pamundur.