FutbollSporti

City përmbys Swansean për të arritur gjysmëfinalen e FA Cup, shkëlqen Celina

Manchester City është kualifikuar në gjysmëfinale të FA Cup duke bërë një rikthim të jashtëzakonshëm ndaj Swanseas.

Swansea e nisi për mrekulli takimin e sotëm duke kaluar në epërsi në minutën e 20 përmes Grimesit që shënoi nga penaltia.

Pas nëntë minutave përfaqësuesi i Kosovës, Bersant Celina shënoi një gol shumë të bukur ndaj ish-skuadrës së tij për ta çuar rezultatin në 2 me 0.

Por, skuadra e Pep Guardiolës nuk u dorëzua dhe në pjesën e dytë përmbysi gjithçka, duke shënuar tre gola.

Në minutën e 69 Bernardo Silva e ngushtoi rezultatin në 2 me 1. Shifrat i barazoi në minutën e 78 Nordfeldt duke shënuar autogol.

Kurse golin e fitores e shënoi Kun Aguero një minutë para përfundimit të kohës së rregullt.

Me këtë fitore City kualifikohet në gjysmëfinale të FA Cup, derisa është në garë për ta fituar edhe Premier Ligën e Ligën e Kampionëve.