Lajme

Cigareshitësi në Gjilan tentoi të vrasë vetën, arsyeja mendohet të jetë gjendja financiare

H.Maloku (51 vjeçar) nga komuna e Gjilanit ka tentuar që të kryejë vetëvrasje duke i shkrepur vetes një plumb në kokë në shtëpinë e tij e cila gjendet në lagjen “Kodra e Dëshmorëve”.

Për shkak të plagëve të rënda që ka pësuar nga arma e zjarrit i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku edhe i është nënshtruar intervenimit kirurgjik.

Sipas stafit shëndetësor gjendja e pacientit vazhdon të jetë e rëndë raporton Koha.

51 vjeçari nga kjo komunë H.Maloku është marrë me shitjen e pakove të duhanit nëpër rrugët e qytetit në Gjilan me qëllim të krijimit të hyrave financiare për familjen e tij gjashtë anëtarëshe.

Në anën tjetër familjarët deklarojnë se paqëndrueshmëria financiare dhe stresi i vazhdueshëm që kishte përjetuar H.Maloku është motivi i vetëm për të cilin dyshojnë se ka ndikuar tek ai që ta kryejë këtë akt.

Për gazetën nëna F. M rrëfen se djali i saj punonte si cigareshitës dhe kishte probleme në aspektin emocional ngase ai kishte shfaqur herë pas herë brengën se nuk do të jetë në gjendje që të mbështesë financiarisht fëmijët e tij.

Ajo thotë se për shkak të epidemisë COVID-19 është detyruar që të qëndrojë në shtëpinë e saj ngase është frikësuar se do infektohej me këtë lloj virusi i cili lehtë transmetohet lehtë edhe tek tjerët. Dhe për këtë arsye kohëve të fundit nuk kishte takuar me djalin e tij dhe me anëtarët e tjerë por kishte shfrytëzuar celularin duke u interesuar për gjendjen e tyre.

“Gruaja e tij është bërë operacion para dy vjetëve dhe gjithmonë ka thënë se çfarë të bëjë tash me pesë fëmijë se qysh me i mbajt kur i kam dy studente dhe tre fëmijë tjerë këtu në shkollë. I stresuar ka qenë që nuk ta merr mendja. Mirëpo kohëve të fundit për shkak të epidemisë nuk jemi takuar sepse nuk kom pas dëshirë që të dal askund sepse nuk po i dihet mandej nëse e kam unë munden me pas edhe tjerët. Kam qëndruar në shtëpi. Dhe të hënën në mesnatë po më thirrin hajde se djali është pak i sëmur. Kam vrapuar duke menduar që ka problem me zemër diçka dhe kam shkuar në shtëpinë e tij dhe e kam gjet të përgjakur në dhomë. Kam menduar që është rrezuar dhe nuk kam qëndruar as 3 minuta sepse mandej erdhën policia edhe ambulance e morën” shprehet ajo duke mos u përmbajtur nga lotët

Thotë se anëtarët e tjerë të familjes i kanë treguar më pas që gjendja emocionale e djalit të saj ka qenë e rënduar para se të tentojë që të vetëvritet ngase i njëjti kishte reduktuar edhe konsumimin e ushqimit.

Thotë se po të kishte këtë informacion do të shkonte të bisedonte me të për problemet të cilat e preokuponin.

“Një javë nuk kish hëngër dhe as nuk kish pi. Dhe këtë nuk e ka ditë nëna se kisha fol edhe isha mundu me ndal. Por nuk e di. Policia ka thënë që fati i tij ka qenë që revolja ka qenë e vogël edhe ka mbet gjallë. Tash është në Intensivë në gjendje kome. Gati 30 vjet ka shit cigare nëpër rrugë tu mundu me mbajt veten. E ka ndërtuar shtëpinë me kredi dhe qe 11 vjet është duke paguar për atë kredi. Ndoshta ju ka mbush kryet se nuk mundet me i mbulu harxhimet edhe ka bo diçka që nuk duhet me bo” ka thënë ajo.

Ajo tutje thotë se njerëzit vullnetmirë janë duke u ndihmuar me pako ushqimore mirëpo deri tani nuk kanë parë një ndihmë konkrete nga komuna. Shton se është e nevojshme ndihma e institucioneve deri në tejkalimin e gjendjes.

“Po na ndihmojnë njerëzit po mirë është me ndihmu edhe komuna derisa të kalon kjo. Gjendja e tij është e rëndë është në Prishtinë në Intensivë. Tash në familje ka filluar me punu çika e madhe e tij. Po shkojnë po vizitojnë në Prishtinë po i dërgon një dajë i tyre i cili ka marrë edhe leje sepse u bo vështirë me ecë në këtë kohë kur janë ndal të gjitha gjërat” është shprehur ajo.

Ndërkaq 51 vjeçari po vazhdohet të mbahet në përkujdesje intensive në QKUK. Shefi i Intensives, Shaqir Uka deklaron se gjendja shëndetësore e pacientit është e rëndë.

“Ai është sjell tek ne me 14 prill dhe në momentin kur ka ardh tek ne pas ekzaminimeve radiologjike është vendosur indikacioni gjegjësisht arsyshmëria për intervenim kirurgjik i cili është kryer në ditën e pranimit për shkak të dëmtimit që pacienti ka pasur në regjionin e kokës nga një armë e zjarrit. Pas intervenim kirurgjik pacienti është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm në klinikë. Pacientit i janë bërë ekzaminimet e mëtutjeshme radiologjike, laboratorike dhe në koordinim të operatorit gjegjësisht neurokirurgut i cili ka kryer intervenimin kirurgjik ditën e premte i janë ndalur barnat dhe është arritur që të largohet nga aparati i frymëmarrjes ditën e shtunë, pra dje. Pacienti vazhdon të qëndrojë dhe të merr tretmanin mjekësor në njësinë e mjekimit intensivë qendror dhe gjendja e përgjithshme vazhdon të jetë e rëndë” ka thënë Uka.

Ndërkaq komuna e Gjilanit deklaron se nuk kanë informacione që ky rast të ketë ndodhur.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemajli deklaron se nuk ka pranuar asnjë informatë për këtë ngjarje nga asnjë institucion.

Ai thotë se do t’i dalin në ndihmë familjes nëse ata deklarojnë se kanë nevojë për një gjë të tillë.

”Në fazën e parë për familjet në nevojë kemi shpërndarë rreth 1 mijë e pako ushqimore dhe në fazën e dytë do të shpërndajmë 1 mijë e 700 pako ushqimore. Nuk kam informatë për këtë rast që ka ndodhur. Do të ndihmojmë këtë familje me kapacitet tona nëse kërkojnë ata një gjë të tillë. Do të shohim se çfarë ka ndodhur” ka thënë Xhemajli.

Kurse zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjilan, Ismet Hashani ka deklaruar se ai mundet të konfirmojë vetëm se ka pasur një tentim vetëvrasje. “Po vetëm mundem me konfirmu. Por sot s’kam më tepër informata” ka thënë ai.