Cakaj në Preshevë: Do të veprojmë të bashkërenduar për më të mirën e shqiptarëve në Luginë
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj po qëndron në vizitë treditore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ai së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka ditën e parë e ka filluar me takime me përfaqësues të subjekteve politike shqiptare me të cilët po bisedon për gjendjen politike dhe pjesëmarrjen e listës së përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
“Pas një vale të gjatë takimesh me përfaqësuesit politikë të partive pjesëmarrëse në Listën e Luginës së Bashkuar, theksuam rëndësinë e patjetërsueshme të ruajtjes së unitetit të brendshëm dhe nevojën e punës së përbashkët për mbrojtjen e lartësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, është shprehur Gent Cakaj në një konferencë pë gazetarë në Preshevë.
Ai theksoi se do të ecim bashkë e do të veprojmë të bashkërenduar për të bërë më të mirën për Luginën e shqiptarët në çdo kohë e çdo rrethanë.
“Është një ndjesi e veçantë dhe ende konsideroj se kam për të parë në Preshevë. Do qëndroj edhe dy ditë dhe do të kem takime edhe me shoqërinë civile. Fakti që jam për herë të parë në Preshevë, nuk do të thotë që nuk jam marrë më herët me këtë çështje. Lugina e Preshevës ka qenë një prej prioriteteve kryesore”, është shprehur Cakaj për klankosova.
Kryediplomati Cakaj në agjendën e tij ka planifikuar edhe vizita me përfaqësues zyrtar institucional./titulli.com/
(Fortografitë e marra nga profilet e subjekteve politike pjesëmarrëse në takime)