LajmeTë fundit

Cakaj kërkon nga partitë politike të Luginës të dalin me një liste të përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi

Me ftesë të ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, liderët e partive politike shqiptare në Luginë udhëtojnë për Tiranë.


Në Ministrinë për Eurpoën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, ministri Cakaj nesër ka organizuar takim të përbashkët me të gjithë liderët e partive politike shqiptare nga Lugina.

Takimi ka për qëllim adresimin e kërkesës së Qeverisë së Shqipërisë për të krijuar një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare në Serbi. Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Serbi priten të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Sipas informacioneve që ka siguruar PreshevaPRESS në Tiranë përveç kryetarëve të partive shqiptare në Luginë, janë ftuar edhe deputeti i vetëm shqiptar në Serbi z.Fatmir Hasani, kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar Ragmi Mustafa dhe përfaqësuesi i APN-së në Medvegjë, Muharrem Salihu.

Deri më tani asnjë parti politike shqiptare në Luginë nuk është deklaruar në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi.

Kërkesa e ministrit Cakaj nuk është asgjë e re pasi që Shqipëria gjithmonë ka grumbulluar liderët e partive shqiptare që veprojnë në Luginë për të garuar me një listë të përbashkët, ide e cila gjithmonë ka mbetur vetëm vullnet politik por pa rezultate të unifikimit të faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës.