Lajme

Bytyçi i PDK-së: Kurti sonte shpalli dorëzimin e tij të turpshëm duke bartur përgjegjësinë te MSH-ja

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, e ka quajtur dorëzim të Kurtit, konferencën e mbajtur sot nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për disa javë në Kosovë ka politizim për masat që duhej të ndërmerreshin për parandalimin e shpërndarjes së pandemisë COVID-19.

Ai thotë se ideja për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme erdhi së pari nga LDK, partneri qeverisës i koalicionit me LVV, duke shtuar se Albini Kurti, si çdo gjë dhe çdo herë në Kosovë e politizoi edhe këtë herë, në ekstrem edhe këtë masë më njerëzore për ruajtjen e jetës së njerëzve.

“Ai e personalizoi këtë masë, duke e konsideruar sulm kundër pushtetit të tij absolut, që mendonte se po i rrezikohej! Problemi tani është, se ky Kryeministër në ikje po e kupton çdo ditë e më tepër gabimin e tij të madh për vonesën me vetëdije në këtë gabim. Ai tani, pas gabimit të rëndë të veprimit të tij antikushtetues, nuk po e di si të veprojë më tej me masat kundër pandemisë. Ndryshe, nuk mund të kuptohet konferenca e sontme që mbajti para pak çastesh”, ka shkruar ai.

Sipas Bytyçit “në vend që Kurti të përcillte mesazh sigurie dhe vendosmërie, sonte, ai shpalli dorëzimin e tij të turpshëm, duke e bartur tërë përgjegjësinë tek ministria e shëndetësisë”.

“Po çfarë mund të bëj në një shtet një ministër, apo vetëm mjekët tanë të shkëlqyer?!Ku mbeti strategjia qeverisëse që përfshin tërë mekanizmat shtetëror?!A do ta komandoj Ministri i Shëndetësisë nga sonte Policinë e Kosovës, ushtrinë, zjarrfikësit apo tërë mekanizmin shtetëror, vetëm Ministri i Shëndetësisë?! Ky është dorëzimi i turpshëm i populisti që nuk pranonte as ndihmë as këshillë nga askush; përkundrazi luftonte me të gjithë dhe kundër të gjithëve. Ky është Albin Kurti i vërtetë, i cili dijen dhe përvojën më të madhe e ka, siç e thotë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovë z. Veseli, vetëm dorëzimin”, ka shkruar tutje ai.

Ai ka thënë se Kurti dorëzohet çdo herë kur situata është e rëndë. Sipas tij, ai sonte shpalli dorëzimin, mu në mes të betejës.

“Ai sonte u turpërua, duke lënë në stihi dhe pa qeveri: Punonjësit tanë shëndetësorë heronj, Policinë që po rrezikon edhe pa mandat të qartë ligjor; Ushtrinë e Kosovës e ka lënë pa rol; ndërmarrësit privatë, që janë ata që mbushin arkën e shtetit dhe po lënë në stihi sociale 280.000 punëtore dhe familjet e tyre; I pari kryeministër, që zyrtarisht po e lejon Serbinë të ushtroj autoritet legal mbi komunat e Republikës së Kosovës, duke ua lejuar futjen e qindra njerëzve personel jo vetëm shëndetësor nga Serbia kundër pavarësisë sonë! Dhe sonte, ai përsëri na dëshmoi se nuk di çfarë të bëj më”, ka shkruar Bytyçi.

Ai thotë se Kurtin e ka kapluar paniku i madh.

“Në njërën anë zgjerimi i frikshëm i pandemisë vrastare dhe në të njëjtën kohë turpërimi i tij poshtërues dhe antikombëtar në veri, janë produkte të tija, të pasojave të drejtpërdrejta. Më mirë do të kishte qenë, të dëgjonte miqtë dhe partitë në Kosovë, t’i bashkonte ata në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës, se sa të përçante dhe luftonte me secilin. Ky është Albin Kurti i vërtetë! Ky është patrioti me bateri që gati shkatërroi Kosovën, që me çdo kusht të vinte në pushtet! Ky është Kryeministri, që kur erdhi në pushtet në mes të betejës, dorëzohet para Serbisë dhe dorëzohet para pandemisë! Ky është ai njeri që vuri Kosovën, për herë të parë në histori kundër ShBA-së. Me një fjalë, ky është njeriu që nuk di, nuk ka guxim dhe nuk mund ta udhëheq Kosovën”, ka thënë ai.