Burri nga Kosova dyshohet të ketë vrarë ish-gruan dhe partnerin e saj në Gjermani
Të shtunën rreth orës 14:20, në Iserlohn, Gjermani, është raportuar për një vrasje të dyfishtë.
Sipas agjencisë së lajmeve “dpa”, sulmi ka ndodhur nga një burrë 43 vjeçar i cili raportohet të ketë vrarë me thikë kuzhine ish-bashkëshorten e tij 32 vjeçe dhe një burrë tjetër 23 vjeçar, që mediat në Gjermani raportojnë të ketë qenë partneri i ri i viktimës.
Ndërkaq, raportohet se dorasi dhe gruaja 32 vjeçe janë nga Kosova, kurse 23 vjeçari nga Afganistani.
Raportohet po ashtu se i dyshuari është dorëzuar tek forcat policore menjëherë pas aktit në vend të ngjarjes, pa rezistencë.
Në bazë të autopsive që u janë bërë dy viktimave sot,del se ata kanë pësuar disa plagë të shkaktuara nga thika, e cila është konfiskuar në vend të ngjarjes.
Arsyeja e këtij sulmi nuk dihet, por çifti kishte kohë që jetonin të ndarë.
Mediumi tjetër i madh gjerman, “Bilt”, raporton se në kohën e sulmit, të ndodhur në një stacion treni, viktima femër me vete kishte edhe beben e saj 2 muajshe (vajzë), e cila ka shpëtuar pa ndonjë lëndim.
“Në veturën e viktimës grua në kohën e krimit ishte një vajzë dy vjeçe. E bija e viktimave u shpëtua nga dëshmitarët. Foshnja u dërgua në spital pa lëndime dhe tani është nën kujdesin e zyrës për mirëqenie. Sipas gjendjes aktuale të hetimit, dyshohet se 23 vjeçari është babai i fëmijës”, raporton “TZ”.
Në kohën e aktit, afër vendit të ngjarjes ka pasur shumë dëshmitarë, përfshirë edhe një dasmë që po ndodhte aty pari me rreth 20 persona.
Trupi i pajetë i gruas mbeti në një parking automjetesh, ndërkaq trupi i burrit mbeti në platformë.
“Stacioni është mjaft qendror dhe në kohën e krimit ka pasur shumë persona afër”, ka thënë një zëdhënës policor.
Mysafirët e dasmës kanë mbetur të tronditur nga ngjarja dhe janë strehuar në ndërtesat e afërta.