Bujanoc/ Asani: Menaxhim i dobët i ndërmarrjes publike “Komunalia”
Kryetari degës së PD-së në Tërrnoc, Naser Asani në intervistë për Titulli.com ka kritikuar funksionimin e ndërmarrjes publike “Komunalia” duke thënë që në ndërmarrjen në fjalë problemet kanë ardhur me një menaxhment jo të mirë. Ai nuk la pa përmendur edhe zgjedhjet e 2016-së duke akuzuar PVD-në se partia e tij i ka afruar koalicion, por PVD zgjodhi të ketë një koalicion me partitë serbe. Asani ndër të tjera premtoi se me kthimin në pushtet të PD-së qytetarët do të i siguroj menaxhimin më të mirë të mbeturinave dhe ujë të pijshëm. Punëtori i NP “Komunalia” kritikon ndërmarrjen duke thënë se “është ndërmarrje shërbyese dhe aty nuk guxon të prekët politika, por duhet si ndërmarrje t’i siguroj qytetarëve të vetë ujë të pijshëm dhe një ambient më të pastër” – deklaron Asani.
Titulli.com: Ju jeni kryetar i nëndegës të PD-së, në Tërnoc. Sa është e organizuar nëndega e PD-së në vendbanimin më të madh shqiptar?
Asani: Nëndega e fshatit Tërrnoc ku edhe unë jam kryetar është shumë mirë e organizuar dhe përbëhet nga profile të ndryshme ku përfshihen njerëz nga të gjitha lagjet të cilët kanë marr përsipër të japin kontributin e tyre për të mirën e fshatit më të madh shqiptar.
Titulli.com: Tërnoci është ballafaquar me probleme të ndryshme. Sa jeni të kënaqur me investimet qeverisjes lokale?
Asani: Po jemi dëshmitarë të gjithë se fshati Tërrnoc po përballet me problem të ujit të pijshëm dhe grumbullimin e mbeturinave, por me këto probleme është duke u përballur edhe e gjithë komuna e Bujanocit. Për mendimin tim deri tek këto probleme ka ardhur te mos menaxhimi i mirë i Ndërmarrjes Publike “Komunalia” Bujanoc dhe sistemimi jo adekuat i njerëzve në pozitat menaxhuese.
Titulli.com: A janë përballur me këto probleme qytetarët edhe më herët?
Asani: Po është e vërtetë se qytetarët e komunës së Bujanocit nuk janë përballur asnjëherë me këto probleme kur ka qenë në pushtet Partia Demokratike dhe prapë me kthimin në pushtet ne qytetarëve ju sigurojmë ujë të pijshëm dhe një ambient më të pastër, sidomos për qytetarët e fshatit më të madh shqiptar Tërrnoc, ku me të vërtetë nuk e meritojnë këtë çka është duke u bërë ndaj bashkëvendësve të mi.
Titulli.com:Përveç problemeve me ujë të pijshëm dhe me mos grumbullimin e mbeturinave, Tërnoci po ka mungesë të herë pas hershme edhe të mjekëve?
Asani: Edhe ky është problem shumë i madh për fshatin Tërrnoc, sidomos për fëmijët, nënat tona dhe të moshuarit. Për këtë problematikë e fajësoj komplet partinë në pushtet e cila pas mbajtjes së zgjedhjeve në vitin 2016 nuk bënë koalicionin me partitë shqiptare, edhe pse partitë shqiptare iu afruan për bashkëqeverisje, por ata i zgjodhën partitë serbe për qeverisje të pushtetit lokal dhe aty në marrëveshje në mes tyre ju fal Shtëpia e Shëndetit dhe sot kryetari i komunës nuk ka asnjë ndikim tek drejtoresha që t’i zgjidhë problemet që po ndodhin në stacionin shëndetësor në Tërrnoc, por edhe në fshatrat shqiptare në komunë të Bujanocit. Edhe çka është ma tragjike më datë 11.09.2019 Shtëpia e Shëndetit në Bujanoc kishte shpallur konkursin për pranimin e dy mjekëve, edhe atë një me kohë të pacaktuar, kurse tjetrin me një kontratë 4 vjeçare. Edhe përkundër faktit që në këtë konkurs u paraqitën disa mjekë shqiptarë, drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në koordinim me bartësit e pushtetit lokal në Bujanoc pranoi në punë dy mjekë të nacionalitetit serb.
Titulli.com: Si e vlerësoni gjendjen në ndërmarrjen N.P. Komunalia?
Asani: Kur e dimë të gjithë se Komunalia është ndërmarrje shërbyese dhe aty nuk guxon të prekët politika, por duhet si ndërmarrje t’i siguroj qytetarëve të vetë ujë të pijshëm dhe një ambient më të pastër. Po kjo është bërë një traditë tek shqiptarët edhe pse nuk duhet të jetë tek ne por kjo po vazhdon, me ndryshimin e pushtetit në vitin 2016 u bërën ndryshime dhe në Komunali në udhëheqjen menaxhuese. Pas marrjes së detyrës nga drejtori apo (organit të përkohshëm)menjëherë filluan hakmarrjet politike vetëm e vetëm pse nuk jemi anëtarë të partisë të këtij pushteti, por ne në mënyrë demokratike dhe të kulturuar pranuam vendimin e drejtorit dhe ju drejtuam gjykatave dhe pas 33 muajve dolëm fitues dhe u kthyem në vendet tona të punës, por për shkak inateve pse ne dolën fitues aq shkoi puna larg i këtij pushteti, bërën ndryshimin e rregullores së ndërmarrjes, ndryshimin e sistematizimit të punëtorëve dhe ku në këto ndryshime u shuan vendet tona të punës, ku këshilli komunal me padurim i votoi këto ndryshime dhe pastaj filloi hakmarrjet e dyta ndaj meje dhe shumë të tjerëve, ku mua personalisht më kanë sistemuar nga pozita shef i financave operative në njësinë e kanalizimit, ku për mua është njësi e panjohur dhe nuk muj ta jap kontributin tim profesional.
Titulli.com: Kur kanë mbetur edhe 6 muaj nga zgjedhjet e rregullta lokale, si e shihni rezultatin e PD-së, e në veçaniti të nëndegës së saj në Tërnoc?
Asani: Po zgjedhjet e rregullta lokale pritet të mbahen diku në prill të vitit 2020 dhe Partia Demokratike është shumë e përgatitur si nëpër nëndega ashtu edhe në qendër. Komunës së Bujanocit e veçanërisht shqiptarët duhen të jenë të udhëhequr nga PD jo vetëm për menaxhimin më të mirë të komunës se këtë vetëm e kemi dëshmuar se dimë dhe e bëjmë, por edhe e kemi obligim ndaj qytetarëve, por edhe për shkak proceseve të cilave janë duke ndodhur në mes Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës. Partia Demokratike do të dal fituese e zgjedhjeve nëpër të gjitha nëndegët e sidomos në nëndegën më të madhe do të jemi fitues absolut se Tërrnocasit më nuk do të gabojnë që ta zgjedhin këtë udhëheqje, por duhen t’i ndëshkojnë këta njerëz të cilët nuk siguruan as gjërat elementare apo jetike për popullatën si shembull; ujin e pijshëm, grumbullimin e mbeturinave me kohë, rregullimin e shtratit të lumit ku është bërë e pa papërballueshme jeta e atyre që jetojnë afër, por edhe për të gjithë Tërrnocasit, pastrimin e rrugëve, sinjalizimin e rrugëve, shërbimet në stacionin shëndetësor, me një fjalë dështuan për të udhëhequr dhe Tërrnocasit do t’i ndëshkojnë këta persona me votë për dëmin e bërë.
Kjo përmbajtje mbështetet dhe është pjesë e programit politik të Partisë Demokratike