Bruksel, nis takimi Hoti-Vuçiq
Në Bruksel ka filluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ky është takimi i parë i drejtëpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit, pas mëse 20 muajsh.
Më parë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zhvillojnë një dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.
Komentet ai i bëri para fillimit të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Pres diskutim konstruktiv që do t’i kontribonte normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”, tha Borrell në adresimin e tij.
Borrell theksoi se i vjen mirë që BE-ja e ka rikthyer rolin udhëheqës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës u mirëpriten në fillim në takime të ndara nga kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell, ndërsa i dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të marrë pjesë në negociata.
Dialogu virtualisht rifilloi më 12 korrik, ku palët biseduan përmes një video- konference, por takimi i sotëm paraqet bisedimet e para të drejtpërdrejta pas 20 muajsh.
Ata njoftuan se, ndër të tjera, do të diskutohet për të pagjeturit, por zyrtarët e BE-së të përfshirë në dialog nuk i konfirmuan këto pretendime, duke theksuar vetëm se “ekziston një agjendë për bisedimet”.
Dialogu në Bruksel filloi në mars të vitit 2011. Ideja ka qenë të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë.
Në tetor të vitit 2012, procesi kaloi në nivelin politik.
Dialogu është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.
Taksa më vonë është zëvendësuar me masa reciprociteti, por këto të fundit janë hequr me ardhjen e Hotit në pushtet, për të mundësuar, siç është thënë, vazhdimin e dialogut.