Lajme

Brnabiq prezanton përbërjen e re të kabinetit qeveritar në Serbi

Mandatarja e qeverise së re në Serbi, kryeministrja e deritanishme Ana Brnabiq, të dielën njoftoi për përbërjen e qeverisë së re serbe.

Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e re të Serbisë do të jetë Aleksandar Vullin, Ministër i Punëve të Jashtme Nikolla Sellakoviq, Ministër i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq, Zorana Mihajloviq do të jetë Ministre e Energjisë, ndërsa Sinisha Malli dhe Zllatibor Lonçar do të qëndrojnë në resoret e tyre – financa dhe shëndetësi.

Diskursi ofendues ndaj shqiptarëve, paralajmërim i politikës serbe

Në qeverinë e re është edhe kryetarja e deritanishme e Parlamentit, Maja Gojkoviq, si ministre e Kulturës,.

Qeveria e re, e udhëhequr nga kryeministrja serbe Ana Brnabiq, do të ketë 21 ministri.

Brnabiq do të paraqes kabinetin e saj edhe ekspozenë në Parlamentin e Serbisë më 28 tetor.

Nga zgjedhjet në Serbi kanë kaluar 126 ditë, gjë që e bën formimin e qeverisë aktuale më të gjatën në 20 vitet e fundit.

Zgjedhjet u mbajtën në 21 qershor dhe lista e Partisë Përparimtare Serbe e presidentit aktual Aleksandar Vuçiq fitoi 188 nga 250 ulëse në parlament.

Koalicioni Partia Socialiste e Serbisë – Serbia e Bashkuar (Ivica Daçiq) fitoi 32 vende dhe Aleanca Patriotike Serbe – SPAS 11 vende.Partitë e pakicave kombëtare – Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës, Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit, SDA Sanxhak dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – kanë gjithashtu ulëse në parlament.

Qeveria e re e Serbisë do të ketë një mandat të kufizuar, jo më gjatë se deri më 3 prill të vitit 2022, kur do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, së bashku me zgjedhjet e rregullta presidenciale, njoftoi më herët presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.