Bota

Black-out total: Spanja dhe Portugalia nën kaos në metro e aeroporte, dyshime për një sulm kibernetik masiv

Një ndërprerje masive e energjisë ka përfshirë Spanjën, Portugalinë dhe disa zona të jugut të Francës, duke shkaktuar kaos në transport dhe komunikacion. Aksidenti u regjistrua rreth orës 12:50 të së hënës, kur u ndërprenë shërbimet e internetit dhe transporti publik, përfshirë ndalimin e trenave dhe evakuimin e metrosë së Madridit. Pavarësisht reagimeve urgjente, autoritetet dhe operatorët e energjisë nuk kanë mundur të japin ende një shpjegim të qartë për shkaqet, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër nga Instituti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, që po shqyrton mundësinë e një sulmi të mundshëm kibernetik.

Spanja dhe Portugalia të prekura, Aeroportet dhe bizneset në errësirë

Sipas raportimeve nga “El Pais”, ndërprerja ka prekur rëndë edhe aeroportin e Madridit dhe shumë biznese të tjera që janë lënë në errësirë. Situata është përkeqësuar në Portugali, ku aeroporti i Lisbonës u mbyll dhe komunikimet midis veriu dhe jugut të vendit u ndërprenë. Në Francë, rajone si Perpinjoni dhe Narbona kanë raportuar ndërprerje të energjisë, ndërsa operatori RTE ka konfirmuar se situata është stabilizuar në këto zona, përcjell albinfo.ch.

Zjarri në malin Alarik, një shkak i mundshëm i ndërprerjes

Një zjarr masiv në malin Alarik, i cili dëmtoi një linjë të rëndësishme të energjisë midis Francës dhe Spanjës, mund të ketë qenë shkaku i ndërprerjes. Eduardo Prieto, CEO i Red Electrica në Spanjë, tha se rikthimi i plotë i energjisë mund të zgjaste nga gjashtë deri në dhjetë orë.

Paralajmërime dhe pasojat në infrastrukturën e komunikimit

Autoritetet spanjolle kanë kërkuar nga qytetarët të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Po ashtu, në Portugali, TAP ka paralajmëruar pasagjerët që të mos udhëtojnë deri në një njoftim të dytë. Interneti dhe rrjetet celulare janë prekur, megjithatë disa shërbime telefonike janë ende funksionale në Spanjë.

Derisa kanë kaluar tashmë mbi dy orë nga fillimi i “black-out-it”, shumë elementë të ngjarjes mbeten ende të paqartë, përfshirë shkakun e saktë dhe nëse ky incident është rezultat i një ndërprerjeje natyrore ose një sulmi të organizuar kibernetik. Hetimet janë në zhvillim, ndërkohë që autoritetet e energjisë dhe të sigurisë po vazhdojnë të merren me situatën.