Bislimi reagon ndaj Beogradit zyrtar pas vendimit për pezullimin e subvencioneve për bujqit e Luginës
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka reaguar ndaj Beogradit zyrtar pas vendimit për pezullimin e subvencioneve për bujqit e Luginës dhe pengimin e kryetarit të ri të KKSH-së Enkel Rexhepi për marrjen e detyrës së re
Reagimi i z.Bislimi
Serbia përsëri po tenton bllokimin e përkrahjes së qeverisë sonë ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, e tashmë edhe po bllokon funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar përmes refuzimit të regjistrimit të kryetarit të ri.
Të dyja këto janë ndërhyrje politike, shkelje e të drejtave të shqiptarëve dhe shfaqje haptazi e diskriminimit të regjimit serb ndaj shqiptarëve. Këto veprime të shtetit serb nuk janë të izoluara, por pjesë e një strategjie të vazhdueshme për të diskriminuar shqiptarët e Luginës, për të bllokuar zhvillimin e tyre ekonomik dhe për të minuar institucionet e tyre legjitime.
Ndihma e Kosovës për shqiptarët e Luginës është legjitime gjersa fondet përveçse janë transparente, përbëjnë dhe mbështetje të drejtë e të nevojshme. Ndërsa bllokada ndaj funksionimit të KKSh-së, është veprim që nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është një ndërhyrje politike me qëllim që Këshilli të mbetet jofunksional dhe i pafuqishëm për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Kjo është një përpjekje e hapur për të kontrolluar institucionet shqiptare dhe për të shuar çdo zë të pavarur që kundërshton politikat diskriminuese të Serbisë. Serbia dëshiron që shqiptarët të mos kenë zë dhe përfaqësim. Nuk do të qëndrojmë indiferentë përballë këtyre shkeljeve.
Qeveria e Kosovës nuk do të ndalë së përkrahuri shqiptarët e Luginës, pavarësisht pengesave nga ana e Serbisë, por përkundrazi do e rrisim mbështetjen vit për vit, ashtu siç edhe kemi bërë gjatë këtij mandati. Gjithashtu edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë vigjilent ndaj këtyre zhvillimeve, e tentativave të radhës për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga regjimi shtypës serb.