Bislimi pas takimit me Escobar: Çështja shqiptare në Luginë nuk do lihet anash nga SHBA-të
Delegacioni nga Bujanoci e Presheva dhe faton Bislimi nga Gjilani kanë realizuar një takim në Washington DC me të dërguarin special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar.
Postimi në Facebook nga Faton Bislimi, pjesë e delegacionit:
Në cilësinë time si Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, që tash e dy dekada përpiqemi për të avancuar ndërkombëtarisht çështjen e Luginës së Presheves si kërthiza e kauzës sonë kombëtare, sot bashkë me delegacionin e Luginës në përbërje prej z. Shaip Kamberi, Deputet, z. Nagip Arifi, Kryetar i Bujanocit, z. Ragmi Mustafi, Kryetar i Keshillit Kombëtar Shqiptar, dhe z. Ragmi Mustafa, ish-Kryetar i Preshevës, u pritëm në Departamentin e Shtetit nga i Dërguari Special i SHBA-ve për Dialogun Kosovë-Serbi, z. Gabriel Escobar.
Me z. Escobar diskutuam për problemet me të cilat ballafaqohen vëllezërit e motrat tona në Luginë tash e sa dekada nga regjimi i Beogradit.
Amerika do jetë partnere e palëkundur e shqiptarëve kudo e veçanërisht atyre në Luginë të Preshevës. Çështja shqiptare në Luginë nuk do lihet anash nga SHBA-të. Shqiptarët në trojet etnike në Luginë do arrijnë realizimin e kërkesave të tyre të drejta, legjitime e demokratike, në partneritet me miqët tanë në Washington, DC.
Përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe vetmohues, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të vazhdojë që këtë kauzë ta sjellë në tavolinën vendimmarrëse në Washington, DC deri sa të arrihet zgjidhja e kënaqëshme për Luginën e Preshevës.
Jemi të bekuar që kemi një mik e partner të pathyeshëm e të palëkundur si SHBA-të!