Bislimi e Nagavci me 5 shtator priten t’a vizitojnë Luginën e Preshevës
Bislimi e Nagavci shkojnë në Luginë të Preshevës në ditën kur Bërnabiq vjen në Kosovë
Të hënën e 5 shtatorit zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, që është përgjegjës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, pritet të vizitojnë Luginën e Preshevës.
Klan Kosova ka mësuar se dyshja qeveritare do të ketë një seri takimesh në Bujanoc dhe Preshevë. Ata do të takohen me Këshillin Kombëtar Shqiptar, deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe do të vizitojnë disa shkolla fillore të komunave në jug të Serbisë që banohen me shumicë nga shqiptarët.
Ndryshe për këtë vizitë akoma nuk ka konfirmim zyrtar nëse Beogradi e ka dhënë pajtimin apo jo.
Nga zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi kanë thënë se së shpejti do të japin detaje të kësaj vizite.
Vizita e zyrtarëve të Kosovës në Luginë mëtohet të zhvillohet në ditën kur në Kosovë vjen për vizitë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.