Lajme

BiEPAG përmend rrezikun e shkëmbimit territorial Kosovë-Serbi në “pikën kritike” për Ballkanin

Rreziku i një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, që do të përfshinte shkëmbimin e territoreve dhe do të mund ta destabilizonte tërë Ballkanin paralajmërohet në një analizë të re, në të cilën pandemia e koronavirusit identifikohet si “pikë kritike” dhe krizë që mund t’i dërrmojë përhershëm institucionet dhe shoqëritë ballkanike.
Kësaj marrëveshjeje, si shkruhet në analizën e Grupit Këshillues të Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG) do t’i mungonte legjitimiteti më i gjërë demokratik.
Analiza, e titulluar “Ballkani Perëndimor në Kohërat e Pandemisë Globale“ hulumton nëntë fusha kritike, duke i numëruar mënyrat në të cilat pandemia dhe masat e shtetit ndaj saj paraqesin sfidë të veçantë. Në të njëjtën kohë, në të jepen edhe rekomandimet. Të nëntë fushat e përmendura janë roli i shtetit, demokracia dhe kapja e shtetit, zhvendosjet gjeopolitike, nacionalizmat e rinj, rezilienca shoqërore, ndikimi mjedisor, migrimi dhe kujdesi shëndetësor, kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja sociale, si dhe implikimet ekonomike, transmeton koha.
Krizës politike në Kosovë, autorët e analizës i referohen tek fusha e demokracisë dhe kapjes së shtetit, duke e përmendur “stuhinë e përkryer” që çoi në rrëzimin e Qeverisë së porsaemëruar.
“Nëse qeveria në detyrë margjinalizohet nga presidenti – i cili, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, merr përsipër përgjegjësinë e plotë mbi situatën – ekziston mundësia e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga administrata amerikane dhe të nënshkruar nga dy presidentët, por që i mungon legjitimiteti më i gjerë demokratik dhe përfshin shkëmbimin e territoreve, me gjithë potencialin për të destabilizuar rajonin”, shkruhet në analizë.
BiEPAG, i përbërë nga studiues të dalluar të politikave nga dhe për Ballkanin Perëndimor është iniciativë bashkëpunimi Fondit Evropian për Ballkanin (EFB) dhe Qendrës për Studime të Evropës Juglindore të Universitetit të Graz-it (CSEES) që ka për qëllim promovimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor dhe konsolidimin e vendeve demokratike dhe të hapura në rajon.

E sipas këtij grupi, skenarët e paraqitur për të gjitha shtetet e Ballkanit në të gjitha fushat mund të shmangen, teksa pasojat e krizës pandemike do të mund të zbuten.

“Në përgjigjen e saj ndaj emergjencës, BE-ja duhet të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në planet e asistencës dhe rindërtimit pas emergjencës, pavarësisht nga statusi i bisedimeve të tyre për aderim. Përfshirja e plotë e rajonit është vendimtare për të parandaluar pasojat e rënda ekonomike dhe ndryshimet gjeopolitike”, shkruhet në analizë.

Rekomandim i këtij grupi është që mbështetja e BE-së, pas krizës “të kushtëzohet me masa për të zvogëluar kapjen e shtetit”.