Bota

Biden heq ndalesën e udhëtimit për vendet muslimane

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden të mërkurën i dha fund ndalesës së vendosur nga paraardhësi i tij për udhëtime nga disa vende me shumicë muslimane, të cilat administrata e re i quajti “diskriminuese”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Biden nënshkroi urdhrin ekzekutiv në Zyrën Ovale pasi bëri betimin, duke u bërë presidenti i 46-të i vendit.

Në shpallje, ai u shpreh se SHBA-të “u ndërtuan mbi themelin e lirisë dhe tolerancës fetare, parim ky i vendosur” në kushtetutën e vendit.

Trump shpalli ndalesën në mars të vitit 2017 me urdhër ekzekutiv të ndjekur nga shpalljet që prezantuan aftësitë dhe proceset e verifikimit, duke u thirrur në tentimin e hyrjes së “terroristëve” ose “kërcënimeve të sigurisë publike”, në përpjekje për të parandaluar hyrjen e individëve në SHBA nga vendet muslimane dhe disa vende të tjera afrikane.

“Siguria jonë kombëtare do të rritet duke hequr Urdhrin Ekzekutiv dhe Shpalljet”, tha Biden, duke urdhëruar të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane të rifillojnë përpunimin e vizave në përputhje me vendimin.

Kufizimet ishin “të rrënjosura në armiqësi fetare dhe ksenofobi”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki para gazetarëve në një konferencë për media.

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) e mirëpriti vendimin, duke e quajtur atë “hapi i parë i rëndësishëm drejt zhbërjes së politikave anti-muslimane dhe anti-emigrante të administratës së mëparshme”.

“Kjo është përmbushje e rëndësishme e premtimit të fushatës për komunitetin musliman dhe aleatët e tij”, theksoi Nihad Awad, kryetari i organizatës më të madhe muslimane të të drejtave civile në vend.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump përmes një dekreti në vitin 2017 u ndaloi hyrjen në SHBA shtetasve nga 7 vendet me shumicë muslimane si Iraku, Libia, Siria, Irani, Sudani, Somalia dhe Jemeni.