Biblioteka “Mehmet Jusufi” pjesë e aktiviteteve të Javës së 22-të të Bibliotekës në Kosovë
Në kuadër të edicionit të 22-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë, stafi i Bibliotekës “Mehmet Jusufi” mori pjesë në disa aktivitete të rëndësishme kulturore dhe profesionale, duke përfaqësuar me dinjitet komunitetin e lexuesve nga Lugina e Preshevës.
Vizita e parë u realizua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ku përfaqësuesit e bibliotekës “Mehmet Jusufi” u njohën nga afër me projektet e reja kulturore dhe mënyrat bashkëkohore të menaxhimit të koleksioneve.
Aktivitetet vazhduan në Bibliotekën “Fan S. Noli” në Gjilan, ku stafi i bibliotekës nga Presheva ishte i ftuar special dhe mori pjesë aktive në panelet e diskutimit që u zhvilluan në kuadër të kësaj jave kulturore.
Gjatë këtyre vizitave u shkëmbuan përvoja profesionale dhe u forcua bashkëpunimi i ndërsjellë me bibliotekat e Kosovës, me qëllim zhvillimin e rrjetit të institucioneve të kulturës dhe promovimin e leximit në të gjithë hapësirën shqipfolëse.
Ky angazhim i Bibliotekës “Mehmet Jusufi” dëshmon përkushtimin ndaj bashkëpunimit kulturor mbarëshqiptar dhe rritjes së rolit të bibliotekave publike si qendra të dijes dhe komunitetit.