Lajme

“Beteja” për parkingun – pronari i V-Petrol ngre padi ndaj Albi Mall: Borxhi ka arritur në 160 mijë euro

Një padi që ndodhet në sirtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës synon ta largojë kompaninë “Albi Commerce” nga një pronë prej 5,227 metrave katror në lagjen Veternik.

Kompania e derivateve, “Valoni Petrol” ka ngritur padi ndaj “Albi Commerce” Sh.P.K. për lirimin e pronës dhe kompensimin e dëmit financiar që pretendon se i është shkaktuar nga mosrespektimi i një kontrate mes dy palëve.

Kontesti nisi në fillim të muajit janar të këtij viti kur “Valoni Petrol” vendosi të mos e njoh më kontratën me “Albi Commerce”, me pretendimin se pronarët e qendrës tregtare “Albi Mall” nuk kishin kryer obligimet financiare të ngarkuara nga qiraja.

Kësisoj, pronari i firmës që merret me tregtinë e karburanteve, ka iniciuar padi civile ndaj “Albi Commerce” në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ka kërkuar nga gjykata që të vendosë një masë sigurie mbi pronën deri në momentin e zgjidhjes së kontestit në gjyq.

“Të aprovohet kërkesë padia: E paditura ‘Albi Comerce SHPK’, me seli në Veternik – Prishtinë që paditësve t’ua liroj pronën e cila mban nr e njësisë kadastrale: P-71914075 00385-0, me sip 5227 m2 vendi i quajtur Veternik Pored Puta ZK Çagllavicë dhe t’ia kthejë pronën në gjendje të më mëparshme, duke përfshirë edhe ndërtimin e rrethojës /murit dhe kompensimin e demit të shkaktuar vlerën e të cilës do ta precizojmë pas nxjerrjës së provave me anë të ekspertizave të propozuara”, thuhet në padinë e dorëzuar ndaj “Albi Commerce” Sh.P.K..

Në fillimin e këtij viti, Valon Azizi tentoi ta bllokonte hapësirën e parkingut të “Albi Mall”, pas pretendimeve se qiramarrësit nuk i kishin paguar qiranë në vlerë 95 mijë euro.

Por, barrierat që ai kishte vendosur përreth hapësirës së parkingut në janar të këtij viti, ishin larguar me urdhër të gjykatës për sekuestrim të përkohshëm.

Pronari i “V-Petrol”, i cili ka nisur betejë ligjore për largimin e “Albi Commerce” Sh.P.K. nga prona e tij, i ka thënë Gazetës Insajderi se deri në muajin mars borxhi është rritur edhe për rreth 60 mijë euro.

“Borxhi nuk është paguar edhe pas janarit, tash pasi kanë shkuar edhe tre muaj, vlera deri më tash është 160 mijë euro”, ka thënë Azizi, në një bisedë me Gazetën Insajderi.

Për borxhin e akumuluar, Azizi ka thënë se ka iniciuar edhe procedurë përmbarimore ndaj “Albi Commerce”. Ka kritikuar prokurorinë për kryerje të shkeljeve në rastin e pronës së tij.

“Ndaj Albi Mall kemi nisur procedurë përmbarimore. Prokuroria e ka bërë një shkelje sepse më ka mohuar të drejtën e pronës; ma ka marr shfrytëzueshmërinë time dhe ia ka dhënë Albi Mall”, ka theksuar Azizi.

Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një sqarim për kontestin mes palëve edhe nga “Albi Commerce” Sh.P.K., mirëpo nga kompania nuk u janë përgjigjur pyetjeve me shkrim të gazetës. 

Gazeta ka kontaktuar edhe në numrin kontaktues të “Albi Commerce” që figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), por personi i autorizuar, i kontaktuar javën e kaluar nga gazeta, ka thënë se nuk mund të kthejë përgjigje. Është arsyetuar se pronarët e kompanisë ndodhen jashtë vendit.

Por, rreth tre muaj më parë, pronarët e “Albi Mall” kishin mohuar të mos kenë paguar obligimet e dala nga kontrata. I kishin cilësuar të pavërteta pretendimet e pronarëve të “Valoni Petrol”. 

“Të shtyrë nga nevoja për qartësim ndaj opinionit publik, theksojmë se qiradhënësi Valoni Petol shpk përmes përfaqësuesit të saj ka plasuar të pa vërteta në opinion dhe/ose ka shtrembëruar të vërtetën duke fshehur faktet vendimtare të një mosmarrëveshje të cilën e ka iniciuar vet ai e që kjo buron nga kontrata noteriale e qirasë dhe se pretendimi për qiranë e pa paguar nuk qëndron meqë Albi Commerce shpk nuk i detyrohet qiradhënësit asnjë pagesë të mbetur”, thuhej në reagimin e pronarëve të “Albi Mall”.

Më 20 dhjetor të vitit 2017, “Valoni Petrol” dhe “Albi Commerce” kishin lidhur një marrëveshje për shfrytëzimin e pronës së “Valoni Petrol”. Sipas kontratës, “Albi Mall” e kishte marrë për shtatë vjet me qira pronën e kompanisë së derivateve,të cilën do ta shfrytëzonte për parking të veturave.

Rreth tri vite më vonë, në janarin e këtij viti, me pretendimin se qiramarrësi nuk i kishte kryer obligimet financiare sipas detajeve të kontratës, pronari i “Valoni Petrol”, Valon Azizi kishte vendosur barriera me qëllim bllokimin e hapësirës së parkingut.

Barrierat i kishin larguar inspeksioni komunal dhe Policia e Kosovës, bazuar në një urdhër të Prokurorisë së Shtetit për Sekuestrim të Përkohshëm. Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës kishte iniciuar rast për veprën penale ‘vetëgjyqësi’ ndaj Valon Azizit.

Rasti i hapur ndaj Azizit, së paku deri sot, nuk është finalizuar me aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit. /Insajderi.org