Kryesore

Besim Ramadani nga Corrotica e Preshevës, menaxher i 44 filialeve të “Coop”-it në Cyrih

Ëndrra e tij ishte që një ditë të bëhej sportist i suksesshëm por rrugët e jetës e çuan në një drejtim krejtësisht tjetër. Duket se vizioni i tij ishte përcaktuar qysh herët për të ndjekur rrugën e një menaxheri të suksesshëm. Besim Ramadani sot është shef i shitjes tek “Coop” njëra nga dy korporatat më të mëdha të shitjes me pakicë në Zvicër.

Ai udhëheq me rreth 44 filialet e “Coop” në qytetin e Cyrihut. Përveç kësaj Besim Ramadani është edhe president i njërës prej qendrave tregtare në Cyrih “Letzipark”. Suksesi i tij prej menaxheri shkon edhe me tujet, duke arritur të jetë edhe pjesë e bordit të drejtorëve të “City Vereinigung Zürich“, një bord që mbron interesat e bizneseve që operojnë në metropolin zviceran të Cyrihut. Në këtë bord bëjnë pjesë kompani me emër jo vetëm në Zvicër po edhe jashtë saj. Ndër to vlen të përmenden disa, si: “Globus”, “SBB”, “Post”, “Google” e shumë të tjera.

Ndër arritjet më të mëdha deri më tani, për Besim Ramadanin mund të vlerësojmë emërimin e tij në një pozitë shumë të rëndësishme siç është ajo e zëvendës drejtorit të regjionit më të madh të “Coop” në Zvicër, regjioni NVZZ, shtrirja e të cilit fillon nga Bazeli e deri tek kufiri me kantonin e Ticinos, duke përfshire në vete dhjetë kantone. Besimi, si zëvendësdrejtor i këtij regjioni ka përgjegjësinë për rreth 400 filiale të “Coop”-it. I gjithë ky sukses i atribuohet punës dhe performancës së tij të suksesshme. Aktualisht Besimi është kandidat për mastar në Administrim Biznesi, tek HWZ e Cyrihut.

I lindur në fshatin Corroticë të Preshevës në vitin 1982, ai ka jetuar në vendlindje deri në klasës e tretë të shkollës fillore, vite këto për Besimin ishin të rëndësishme për të ruajtur atdhedashurinë dhe për të qenë gjithmonë afër vendit prej nga vjen. Ishte viti 1990 kur Besimi së bashku me familjen kishte emigruar në Zvicër. Ardhja e tij në një moshë të re i kishte ndihmuar atij të ndjekë ëndrrën për tu marrë me sport. Ishte futbolli, për të cilin Besimi kishte menduar se do të jetë pasioni dhe profesioni i tij i së ardhmes. Por me kalimin e kohës, falë energjisë së tij dhe karakterit dinamik që e cilëson, ai kishte kuptuar që orientimi i tij në profesion do të jetë lëmi i tregtisë dhe ekonomisë prandaj i ishte përkushtuar shkollimit në këtë drejtim.

Është interesante se Besimi zanatin apo shkollimin e mesëm kishte vendosur që ta mbaronte pikërisht aty ku sot është tashmë menaxher me emër. Pra “Coop”-i ishte hapi i parë drejt karrierës së tij të suksesit. Me të përfunduar atë nivel ai ishte i vendosur për të vazhduar tutje ngase qysh si i ri e kishte kuptuar që shkollimi është esencial për të arritur diçka. Ai rrugëtimin e tij e kishte vazhduar me shkollimin në fushat e marketingut dhe komunikimit, deri tek drejtuesi i shitjes ku dhe i kishte akredituar studimet për ekonomi në Zvicër.

Prirje menaxheriale

Prirja e tij prej udhëheqësi ishte vërejtur qysh në kohën kur ai bënte zanatin (viti 2000) në “Coop”, ku së bashku me disa të rinj të talentuar veçoheshin për prirje për të qenë të suksesshëm në sektorët ku ata punonin dhe shkolloheshin. Pas disa vitesh pune e përvoje në këtë fushë, kualiteti dhe performanca e tij kishin bërë që diku në vitin 2008 Besimi të emërohej zëvendësshef në njërën nga filialet e “Coop” në qytetin e Zug-ut, e për një kohë të shkurtër ishte emëruar udhëheqës i po të njëjtës filiale.

Gjatë kësaj periudhe, brenda një viti ai kishe bërë lëvizje të shumta, duke u sfiduar në shumë pozita të ndryshe deri në vitin 2015. Atëherë, si rezultat i punës së tij, menaxhmenti i korporatës “Coop”, i kishte ofruar atij pozitën e shefit të shitjes për filialet në metropolin zviceran, në Cyrih, si regjioni më dinamik në nivel vendi. Të gjitha këto pozita menaxheriale për Besimin nuk ishin befasi por një mundësi e mirë për të treguar aftësitë e tij prej menaxheri. Për këto arritje, Besim Ramadani thotë se vendimtare ka qene eksperienca e tij shumëvjeçare. Këtë ai e vlerëson si njërën anë të medaljes. Falë edhe shkollimit dhe gradave që kishte arritur ndër vite, ai u bë një menaxher i vlerësuar si nga punëtorët ashtu edhe nga kompania ku punon.

Si çdo menaxher i suksesshëm, edhe Besimi mendon se kjo që ka arritur deri më sot nuk është e mjaftueshme apo thënë ndryshe ky nuk do të jetë stacioni i fundit në karrierën e suksesshme të tij. Prandaj edhe për Besimin synimet janë ecja edhe më tutje, ndjekja e sfidave edhe në sektorë të tjerë. Ai vlerëson se në të ardhme mund të jetë menaxher edhe i sektorëve të tjerë. Kjo jo vetëm se do t`i hapte atij horizonte të reja për të ofruar bashkëpunime me brende të mëdha botërore, por pa dyshim do të ishte e edhe një sukses tjetër për vetë korporatën e “Coop”-it ku aktualisht punon Besim Ramadani.

Përveç se një menaxher i suksesshëm, Besimi është edhe një prind i përkushtuar, si baba i dy fëmijëve: djalit Leonit dhe vajzës Eronës. Ai angazhohet që fëmijët, përveç sukseseve në shkollë të jenë të suksesshëm edhe në aktivitete të tjera, sidomos në sport. Këtë rrugë sot po e ndjek djali i tij Leoni, i cili aktualisht është në akademinë e futbollit të FC Zürich.

Besim Ramadani është po ashtu i përkushtuar edhe për zhvillimet në atdhe dhe në komunitetin tonë këtu. Ai ndjek me vëmendje aktualitetin e shqiptarëve në Zvicër.

Besimi ka një mesazh për të rinjtë në diasporë

Besimi Ramadani, ka edhe një mesazh për të rinjtë e diasporës të cilët i inkurajon që të kenë besim në atë që janë dhe të besojnë në vlerat që kanë si të rinj, me shumë potencial. Besimi nga pozita që ka sot, u bën thirrje në veçanti të rinjve që të kenë si orientim shkollimin dhe arritjen në fusha të ndryshme, ngase sipas tij kjo do të bëjë që imazhi ynë të jetë më i mirë dhe këtë mund ta arrijmë vetëm me punë dhe shkollim. Ai shprehet se secili duhet ta bindë veten se përfaqëson vlera si komunitet dhe me punën tonë do të arrijmë të jemi të vlerësuar dhe meritorë në fusha të ndryshme të jetës. Besimi po ashtu bën thirrje që integrimi të shihet si një gjë e rëndësishme, por pa humbur asnjëherë traditën dhe atë se prej nga vijmë.

Në mes futbollit dhe shkollës zgjodhi të dytën

Ardhja e tij në një moshë të re i kishte ndihmuar atij të ndjekë ëndrrën për tu marrë me sport. Ishte futbolli, për të cilin Besimi kishte menduar se do të jetë pasioni dhe profesioni i tij i së ardhmes. Por me kalimin e kohës, falë energjisë së tij dhe karakterit dinamik që e cilëson, ai kishte kuptuar që orientimi i tij në profesion do të jetë lëmi i tregtisë dhe ekonomisë prandaj i ishte përkushtuar shkollimit në këtë drejtim.