Lajme

Bërnabiq: Qëllimi i SHBA-së, njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Bërnabiq, thotë se qëllimi i Ndihmës Sekretares amerikane së Shtetit për Evropën dhe Azinë, Karen Donfried, e cila ishte në një vizitë zyrtare në Serbi, si dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë, është njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që ka ndryshuar tani është se ata tani jo vetëm po dëgjojnë, por po dëgjojnë edhe anën tonë dhe argumentet tona”, tha Bërnabiq për Pinktv.

Sipas Bërnabiq, ajo vlerësoi se Shtetet e Bashkuara janë shumë më eksplicite se BE-ja në kritikat ndaj Prishtinës “për gjithçka që nuk është bërë dhe për qëndrimin e tyre të pasinqertë në dialogun me Beogradin”.

“Edhe për mos formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, edhe për ndalimin e serbëve që të marrin pjesë në referendum dhe të votojnë në zgjedhje. Qëndrimi i tyre për këtë është shumë më i qartë”, u shpreh Bërnabiq.

Sipas saj, “qëndrimi i ShBA-së për atë çështje po ndihmon mjaft për kthimin e Prishtinës në tryezën e bisedimeve dhe vazhdimin e dialogut, pa marrë parasysh se Serbia nuk pajtohet me SHBA-në për disa çështje themelore”.