Lajme

Shkaku i qëndrimeve për Kosovën, Serbia e trajton si tradhtar Sanduloviqin

Ish-drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë, Aleksandar Vulin, e ka marrë përgjegjësinë për arrestimin e politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, i cili u rrah brutalisht brenda objektit të BIA-s.

Vulin tha se arrestimi i Sanduloviqit është bërë me urdhrin që ai e ka dhënë në kohën sa ishte në krye të kësaj agjencie.

Në një prononcim për median serbe “Novosti”, ai e konfirmoi pretendimin e familjes së Sanduloviqit, se politikani është arrestuar dhe rrahur, pasi që në rrjete sociale kërkoi falje për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë dhe e publikoi një video nga homazhet që i bëri në kompleksin e Jasharëve në Prekaz.

“Sanduloviq është ndaluar sipas urdhrit tim, i cili ka mbetur në fuqi edhe pas dorëheqjes sime. Nëse Sanduloviqi do të kishte vendosur kurorë në varrin e Hitlerit, Mossadi do ta kishte vrarë. Nëse do të kishte vendosur kurorë në varrin e Osama bin Ladenit, CIA do t’ia kishte gjetur kokën”, ka thënë Vulin. “Duke vendosur një kurorë në varrin e vrasësit të serbëve, Adem Jashari, Sanduloviq është ndaluar me urdhër timin dhe të prokurorit. I kërkoj falje Serbisë që nuk mund të bëj më shumë. Nuk e di a janë aktive urdhërarrestet e mia për tradhtarët e tjerë, por shpresoj që po, që t’i çoj ata para prokurorëve kompetentë”.

Por atë e përgënjeshtroi avokati i Sanduloviqit, Çedomir Stojkoviq. Ai tha se Vulini nuk ka mundur ta kërkonte arrestimin e tij pasi ishte shkarkuar dy muaj më parë, teksa shtoi që urdhri u dha nga regjimi i presidentit, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk ka agjenci inteligjence në këtë planet, ku urdhrat e ndalimit të drejtorit ekzekutohen dy muaj ose dy vjet apo dy dekada pas përfundimit të detyrës. Në BIA nuk ka urdhër me shkrim të drejtorit në të cilin shkruan ‘arresto dikë’, as ‘arresto dikë për dy muaj’. BIA nuk ka kompetencë të ‘arrestojë persona me urdhër’”, ka thënë avokati Stojkoviq.