Berisha tregon detaje dhe qëllimin e takimit të Ramës dhe Vuçiqit në Nish: Për këtë arsye nuk u ftua Kosova
Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një prononcim për një media kosovare ka komentuar projektin e Minishengenit, të cilit po i prinë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Berisha duke folur për këtë projekt, tha se Vuçiq me qëllim nuk ftoi Kosovën në Nish.
Sipas tij, kjo ndodhi për shkak se donin ta paraqitnin Kosovën si pjesë të Serbisë.
“Përsa i përket mospjesëmarrjes së Kosovës në këtë, projekt mendoj se ka dy anë: E para Vuçiç me qëllim nuk ftoi Kosovën në Nish. Në Nish, Traktatin e firmosi vetëm Vuçiçi dhe Zografi bis. Kosova nuk u ftua në Nish pasi Vuçiç me aprovimin e plotë të Edvinit me këtë akt e konsideroi atë pjesë të Serbisë. Për këtë çështje ka hedhur dritë zëvendësministri i mbrojtjes së Serbisë në një takim në Bukuresht. Sipas burimeve të oficereve të shtabit të përgjithshëm të Shqipërisë, ‘Kosova në Nish nuk u ftua’,- do t’i thoshte në takimin e SEDM-It në Bukuresht, zëvendësi i Vulin, zëvendësministrit të mbrojtjes së Shqipërisë Petro Koçi me dakordsinë e plotë të Vuçiç me Edvin Kristaq Zografin”, u shpreh Berisha.
Ai tutje tha se Kosova u ftua në Ohër për shkak të reagimeve dhe dyshime të forta ndërkombëtare. Berisha theksoi se ky projekt do të thotë Jugosllavi e re.
“Së dyti, mungesa e Kosovës në Nish ngjalli reagime dhe dyshime të forta ndërkombëtare. Prandaj Vuçiç për të maskuar sadopak këtë qëndrim të tij albanofob u detyrua ta ftojë Kosovën në Ohër. Por natyrisht Kosova e përjashtuar me qëllim ogurzi nga Vuçiç dhe Rama në Nish nuk kishte pse t’i bashkohej valles së tyre të Jugosllavisë së Re, projekti i të cilës ka si qëllim dominimin e rajonit nga Serbia, zhvlerësimin e faktorit shqiptarë, i cili de facto është dhe faktori më i fuqishëm i tij, defaktorizimin dhe izolimin e Kosovës dhe rolit të saj kyç në rajon”, potencoi Berisha.