Berisha i dërgon Vuçiqit: Do të ndëshkoheni për krimet në Kosovë dhe Shqipëri
Ish-kryeministri Sali Berisha, nga Kukësi ku po mban foltoren e radhës, pati një paralajmërim për presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se ndëshkimi për të gjitha krimet që Serbia ka kryer në Kosovë e Shqipëri, është shumë afër.
“Garantoj qytetarët e Lumës dhe dua t’i çoj mesazh Sllobodanit të ri që do të njihet i gjithë gjenocidi serb ndaj shqiptarëve nga 1970 deri në 1999, përfshirë gjenocidin e Lumës, më të egrin të luftës ballkanike i dokumentuar. Përgatitu Sllobodan se jo vetëm për krimet në Kosovë edhe në Shqipëri do të ndëshkojnë Serbinë për krimet e shëmtuara. Nëse ne do të ngremë zërin do të dënojmë gjenocidin, e bëjmë këtë si kusht i të gjitha kushteve që Ballkani të ketë paqe”, tha Berisha.
Ndërsa e konsideroi kryeministrin Edi Ramën “vasal” të Beogradit, ai e akuzoi atë se në këto tetë vjet nuk ka ndjekur nismën e Berlinit, por të Beogradit:
“Edi Rama në këto tetë vjet në vend që të ndjekë nismën e Berlinit që e udhëheq Gjermania, ndoqi nismën e Beogradit. Edi Rama nisma e Beogradit është vasalitet, është armiqësi për Kosovën dhe rrethim i hapur ndaj Kosovës. Ndaj dhe kohërat janë kritike dhe vendimtare”, u shpreh Berisha.